Milani në “Olimpico” e mposhti Romën
Pas dy humbjeve radhazi dhe humbjes së kreut, Milani rikthehet te fitoret në Seria A. Kuqezinjtë triumfuan 2-1 ndaj Romës në “Olimpico”, duke shkuar në -4 pikë nga Interi kryesues.
Skuadra e Piolit ishte dominuese në 30 minutat e para duke humbur shumë mundësi shënimi me Ibrahimoviq dhe Rebiq. Në minutën e 42-të, arbitri i ndihmuar edhe nga VAR dha penallti pas një faulli në limitet e zonës. Nga pika e bardhë Kessie tregohet i saktë duke mposhtur Pau Lopez. Roma do të reagonte në fillimin e pjesës së dytë.
Jordan Veretout lëshon një goditje të bukur në hyrje të zonë duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Donnarumma. Gëzimi i ekipit të Fonsecës zgjati vetëm 8 minuta.
Ante Rebiq me një rrotullim të bukur lë në vend Mancinin, i cili është shumë i ngadaltë. Kroati do ta kishte të thjeshtë për të mposhtur Pau Lopez. Roma me gjithë tentativat dëshpëruese në minutat e fundit, rezultati nuk do të ndryshonte.