Milani pësoi humbje edhe nga Torino
Milani nuk arrin të reagojë pas disfatës në derbi me Interin, pasi humbet dhe në fushën e Torinos me rezultatin 2-1. Një takim me dy fytyra për skuadrën e Marco Giampalos, pasi zhvillon një pjesë të parë mjaft mirë, ndërsa dështon krejtësisht në të dytën.
Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë sfidën, madje gjetën shumë shpejt golin e avantazhit me anë të sulmuesit Piatek. Polaku shënoi nga një penallti në të 18′. VAR-i ndërhyri dhe la në fuqi veprimin e gjyqtarit, sulmuesi kryesor i “Djallit” nuk gaboi. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Torino reagoi mjaft mirë në të dytën dhe u vërsul me shumë presing. Belotti arriti të bënte mrekullinë duke shënuar dy herë për të përmbysur gjithçka. Goli i parë erdhi në minutën e 72′, pas një krosimi drejt zonës. Sulmuesi shmang mbrojtësin dhe me një goditje të fortë gjen të papërgatitur Donnarummën që e shtyn drejt portës.
Pesë minuta më vonë realizon dhe golin e dytë duke shënuar me roveshatë. Futje e topit drejt zonës, Donnarumma reagon mirë, por kapiteni kthehet duke i dhënë fitoren skuadrës së tij. Reina tërbohet dhe del me të kuqe nga stoli, ndërsa Piatek bëri një gafë duke humbur një top vetëm 1 metër larg portierit.