Milani tenton transferimin e Bernardo Silvas
Bernardo Silva ka vendosur të largohet nga Manchester City gjatë afatit kalimtar veror.
Ardhja e Jack Grealish ka bërë që portugezi mos të shihet më si titullar nga Pep Guardiola dhe vetë lojtari ka kërkuar largimin nga klubi. Atletico Madrid, Tottenham Hotspur e Arsenal ishin skuadrat e interesuara për të por, së fundmi, garës i është bashkuar edhe Milani.
“Rossonerët” nuk kanë mundësi që të shpenzojnë për blerjen përfundimtare të menjëhershme të tij dhe kanë kërkuar huazim. Mediumi anglez “Daily Star” ka zbuluar edhe ofertën që Milani u ka bërë kampionëve të Anglisë për yllin portugez. Kuqezinjtë i kanë ofruar Cityt 15 milionë euro për huazimin dyvjeçar të Bernardo Silvas me detyrim blerje në vitin 2023 për 35 milionë euro të tjera.
Është një ofertë që është marrë në konsideratë nga City, derisa Paolo Maldini pritet të futet në bisedime edhe me lojtarin. 27-vjeçari është bashkuar me Cityn në verën e vitit 2017 nga Monaco për 50 milionë euro.