Milatoviç nis konsultimet me Abazoviç-in për caktimin e mandatarit të ri të Qeverisë
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka nisur takimin me liderin e Lëvizjes Qytetare “URA”, Dritan Abazoviç, për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re malazeze pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.
Takimi mes Milatoviçit dhe Abazoviçit është mbajtur rreth orës 09:15, në rezidencën e presidentit në Cetinje, raporton mediumi malazez Vijesti.
Një ditë më parë, demokratët janë pajtuar që Milojko Spajiç-it t’i jepet mandati për formimin e qeverisë së re malazeze, ka thënë lideri i demokratëve, Aleksa Beçiç, pas konsultave me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
“Ne shprehëm dëshirën tonë për të formuar një qeveri sa më parë. Gjëja më e rëndësishme për Malin e Zi është të dalë nga një lloj shteti në veprim dhe të ketë një qeveri të re. E kemi informuar presidentin se dje është mbajtur seanca e Kryesisë së Demokratëve, ku është arritur përfundimi se presidenti duhet t’i japë pëlqimin për t’ia besuar mandatin Spajiç-it”, tha Beçiç, transmetojnë mediat malazeze.
Sipas tij, Malit të Zi nuk ka nevojë për një qeveri eksperte apo pakicë, por për një qeveri politike që do të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve.
Duke komentuar deklaratën e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – se pozita e kryetarit të Kuvendit u takon atyre, Beçiç potencoi se ky nuk është treg, as demokratët nuk kanë tregtuar apo shantazhuar dikë, por janë pajtuar.
As nuk e pohoi, e as nuk e mohoi nëse iu është ofruar pozita e Kryetarit të Kuvendit, por theksoi se e kanë pranuar atë që u është ofruar dhe se nëse do të kishin nevojë të mohonin diçka për mediat, do ta kishin mohuar.
“Unë nuk e shoh këtë si treg dhe tregti. Këto janë procese të ndjeshme”.
Ndryshe, këtë të marte, pas Lëvizjes Evropa Tani – fitueses së zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit – e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, dhe Partisë Demokratike të Socialistëve, në konsultime me presidentin e Malit të Zi, kanë qenë përfaqësusit e demokratëve, përkatësisht kryetari i kësaj partie, Aleksa Beçiç.
Në takime, kreu malazez ka shprehur interesimin e tij për qëndrimet e bashkëbiseduesve lidhur me prioritetet programore të Qeverisë së ardhshme malazeze, strukturën, modelin dhe mbështetjen politike për formimin e saj në Parlamentin e Malit të Zi.
“Vëmendje e veçantë në bisedime iu kushtua çështjes së integrimit evropian, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, politikës së jashtme dhe daljes së shtetit nga kriza institucionale”, thuhet në deklaratën e presidencës malazeze.
Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.
Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve – ish partia e Milo Gjukanoviç-it – është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” me 15.
Ndërsa, koalicioni në mes të lëvizjes qytetare Ura, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksa Bekçiç-it, kanë arritur kuotën e 12 mandateve.
Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj – kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.