Milazim Krasniqi: Deklarata e Sveçlës është një qind për qind gënjeshtër
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratës se ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Xhalal Sveçla, i cili ka thënë se ka informacione se Krasniqi qëndron prapa organizimit “Falu n’shesh”.
Karasniqi ka thënë se deklarata e Sveçlës është një qind për qind gënjeshtër.
“Asnjë thirrje të tillë, asnjë organizim të tillë nuk kam ftuar, as nxitur asnjëherë. Unë kam shprehur qëndrim publik se duhet të hapen xhamitë, me kujdes e me zbatim të rregullave, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Deklarata e Xhelal Sveçlës se gjoja unë qëndroj pas ndonjë thirrje për të falë namaz në shesh është qind për qind gënjeshtër. Është e pakuptueshme dhe e turpshme që të gënjejë në këtë mënyrë një zyrtar i lartë i qeverisë.
Asnjë thirrje të tillë, asnjë organizim të tillë nuk kam ftuar, as nxitur asnjëherë.
Unë kam shprehur qëndrim publik se duhet të hapen xhamitë, me kujdes e me zbatim të rregullave, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut.
Ndaj qëndrimit tim BIK ka reaguar me një deklaratë nervoze dhe poashtu të pakuptimtë.
Tash qenkan bërë bashkë myftiu Tërnava e Xhelal Sveçla, në një fushatë e ndjekje të përbashkët e të pandershme. Nuk u bën nder kjo gjë, as njërit, as tjetrit. Edhe nuk mund të më frikësojnë.
Ministri Sveçla dhe qeveria duhet të gjejnë zgjidhje për problemet e rënda ekonomike, shëndetësore, sociale e gjithfarë që po e rrënojnë vendin e shoqërinë e të mos përhapin dezinformata e gënjeshtra të tilla si kjo e Xhelal Sveçlës.
Thjesht, nuk qeveriset me gënjeshtra. Dështimet e qeverisjes së Kurtit e Sveçlës nuk mund të mbulohen me fushata kundër njerëzve të ndershëm. Përkundrazi ato dështime vetëm sa bëhen edhe më të tejdukshme.