Milazim Krasniqi: LDK-ja ka hyrë në krizën përfundimtare
Milazim Krasniqi, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se LDK-ja ka hyrë në krizë përfundimtare.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se nëse LDK-ja e voton Vjosa Osmanin, duke shpresuar se ndalet rebelimi brenda partisë dhe ikja prej saj, është e sigurt se nga pozita e presidentes dhe me mundësitë e qeverisë Kurti, Vjosa Osmani do të tërheqë edhe shumë figura e shumë votues nga LDK-ja te lista e saj.
Ndërsa, sipas tij nëse LDK merr vendim mos ta votojë, ndërsa deputetë të saj e votojnë, i bie që Vjosa Osmani e kontrollon LDK-në e tashme më shumë se sa lideri i ri i saj dhe kryesia e saj e lodhtë.
“Pra, në të dyja variantet, LDK-ja është në situatë pa shtegdalje”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i tij:
LDK ka hyrë në krizë përfundimtare. Nëse e voton Vjosa Osmanin, duke shpresuar se ndalet rebelimi brenda partisë dhe ikja prej saj, është e sigurt se nga pozita e presidentes dhe me mundësitë e qeverisë Kurti, Vjosa Osmani do të tërheqë edhe shumë figura e shumë votues nga LDK-ja te lista e saj. Në atë mënyrë LDK do të shteret edhe më shumë. Ndërsa, nëse LDK merr vendim mos ta votojë, ndërsa deputetë të saj e votojnë, i bie që Vjosa Osmani e kontrollon LDK-në e tashme më shumë se sa lideri i ri i saj dhe kryesia e saj e lodhtë. Pra, në të dyja variantet, LDK-ja është në situatë pa shtegdalje. Në këtë pozitë të mjerë e kanë sjellë LDK-në ata që e kanë trajtuar veç si lopën që duhet të milet, pa e ushqyer. Kjo gjendje e saj, e partisë-patericë, është për keqardhje po edhe e dëmshme për demokracinë.