Milazim Krasniqi me fjalë emocionuese për Memlin që sot u zgjodh kryetar i PDK-së
Profesori universitar, Milazim Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka uruar me fjalë emocionuese birin e tij, Memli Krasniqin, pasi ky i fundit sot u zgjodh kryetar i PDK’së.
Krasniqi tha se për familjen e tij, kjo arritje e Memlit, është përmbushje e besimit që kanë pasur në të.
Tutje, Krasniqi tha se PDK-ja është pjesë substanciale e lirisë dhe ndërtimit të shtetit, e sipas tij, të udhëheqësh PDK-në i bie ta prekësh me dorë historinë e këtij shteti.
Milazim Krasniqi ishte një ndër themeluesit e LDK’së, parti rivale e kësaj që udhëheq Memli Krasniqi, nga sot e tutje.
Gjatë votimit për zgjedhjen e tij kryetar, 476 delegatë votuan, 7 nga ta kundër dhe një abstenim. Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK’së pa kundërkandidat.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të profesorit Krasniqi:
Zgjedhja e Memlit për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës, për mua, Ediben dhe gjithë familjen tonë, është një përmbushje e besimit që gjithnjë kemi pasur dhe e kemi në Memlin, si një djalë i mbarë, i suksesshëm, i dashur, i përkushtuar, me vlera të larta njerëzore. Memli e ka pasur dhe e ka gjithmonë përkrahjen tonë të plotë, në të gjitha projektet, sepse ne e dimë që ai angazhohet vetëm në punë të mira, të mbara e të dobishme, për familjen e për vendin tonë të dashur. Prandaj e ka përkrahjen tonë të plotë edhe në detyrën e tij të re dhe më shumë përgjegjësi. Të udhëheqësh PDK-në, realisht është ta prekësh me dorë historinë e këtij shteti, sepse PDK-ja është pjesë substanciale e lirisë dhe e ndërtimit të shtetit tonë. Ne besojmë se historia e lavdishme e këtij projekti politik dhe oferta e re për kohën që kemi përpara, do t’i prijë Memlit tonë drejt sukseseve të reja. Urime, babush! Zoti të ndihmoftë!