Milazim Krasniqi: Sveçla gënjeu publikisht, do ta padis
Profesori dhe publicisti, Milazim Krasniqi ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj u.d të Ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçlës, që sot tha se ka informacione që është Krasniqi ai që qëndron prapa organizimit të faljes së namazit në shesh, si shenjë proteste për mos hapjen e xhamive.
Krasniqi ka deklaruar se nuk ka asgjë të vërtetë në atë se çka ka deklaruar Sveçla. “Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë, në një postim që bëra në ‘Facebook’ thash që kjo është 100% gënjeshtër, me që është natë e madhe do të përmbahem, është e pakuptueshme qysh një zyrtar del e rrenë publikisht për diçka që në asnjë variant nuk e kam thënë. Unë kam bë një postim që është koha që të hapen xhamitë, por, në asnjë rast nuk kam thënë që duhet të bëhet falja në shesh, sado që njerëzit janë në lirinë e tyre. Nuk e kam firmos as peticionin me të cilin është kërku hapja e xhamive, duke ditë që ka lloj lloj mundësie që të keqpërdoret emri. Ishte një deklaratë skandaloze, atë nuk e njoh, njëherë në jetë kam qenë në debat”, ka deklaruar ai.
Krasniqi thotë se do ta padis për shpifje ushtruesin e detyrës së Ministrit që vjen nga radhët e Vetëvendosjes. Ai shton se Sveçla ia ka dëmtuar identitetin. “Është dezinformatë nuk ka asnjë deklaratë, asnjë veprim në mënyrë kategorike. Për të qenë të sigurtë në këtë që po them kam filluar kontaktet me avokatin dhe do të padis Xhelal Sveçlën për shpifje dhe do të shihemi në gjyq, kam vendosur që ta ndjek me rrugë ligjore këtë punë. Fjalët i merr era, harrohen, shihemi në gjyq, nëse ai masanej ka atëherë le ti sjell./T7