Milazim Krasniqi: T’i thuhet KFOR-it ‘lësho udhë’ duhet të jesh shumë budalla

25 dhjetor 2022 | 13:54

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka komentuar deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i cili i ka thënë KFOR-it “nëse dëshiron të qëndrojë indiferent ndaj kriminelëve”, atëherë sipas tij “le t’ia lëshojë udhën Policisë së Kosovës”.

Krasniqi ka thënë se t’i thuhet KFOR-it lësho rrugë duhet të jesh budalla.

“T’i thuhet KFOR-it ‘lësho udhë’, duhet të jesh shumë budalla. Nëse KFOR-i do të lëshonte udhë, duke injoruar Rezolutën 1244, vakuumin do ta mbushte policia dhe ushtria e Serbisë. Kaq gjë do të duhej ta dinte edhe deputeti më injorant edhe këshilltari më spekulant”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Kërkesa e ShBA-së dhe e BE-së ka qenë që çështja e targave të shtyhej për dhjetë muaj. Qeveria Kurti nuk i dëgjoi. Po të shtyhej zbatimi i atij vendimi, nuk do të dilnin serbët nga institucionet, nuk do të shpalleshin e shtyheshin zgjedhjet lokale atje, nuk do të kishte sulme ndaj institucioneve atje, nuk do të kishte arrestime e rrjedhimisht nuk do të kishte barrikada.

Pra, refuzimi ndaj ShBA-së e BE-së ia ka dhuruar Serbisë pretekstin për prodhimin e kësaj krize zingjirore, në dëm të stabilitetit të Kosovës. Pa e kuptuar këtë gabim, qeveria Kurti nuk mund të dalë nga qorrsokaku.

Ndërsa, duke e etiketuar KFOR-in, siç po bëjnë disa zyrtarë të LV-së, qeveria vetëm mund ta përkeqësojë pozitën e vet. Pse? Sepse KFOR ka mandatin nga Rezoluta 1244 dhe i ka vlerësimet e veta. Nuk vepron sipas humorit të Albin Kurtit dhe fanatikëve të tij fantastë. Nëse ka deputet e këshilltarë politikë të Kurtit, që nuk kuptojnë kaq send, mjerë për ne! T’i thuhet KFOR-it “lësho udhë”, duhet të jesh shumë budalla. Nëse KFOR do të lëshonte udhë, duke injoruar rezolutën 1244, vakuumin do ta mbushte policia dhe ushtria e Serbisë.

Kaq gjë do të duhej ta dinte edhe deputeti më injorant edhe këshilltari më spekulant. Në të vërtetë, disa politikanë nuk e patën kuptuar mandatin e KFOR-it as në vitin 2004, por na ndodhi hataja.

Ata që mbajnë mend, e dinë si përfundoi tragjikisht konfrontimi me KFOR-in. Pra, këshilla ime modeste për këta injorantë e aventurierë është: me KFOR-in mos u kruani.

Vazhdoni të llomotitni në rrjete sociale kundër ne shqiptarëve, boll e keni atë mision pervers.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj,…