Milazim Krasniqi: Vjosa ka thyer parimin dhe obligimin partiak
Milazim Krasniqi, njëri nga ish- themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht profesor universitar, ka komentuar shkarkimin e Vjosa Osmanit në pozitat udhëheqëse të LDK-së.
“Për ta kuptuar shkarkimin e Vjosa Osmanit, duhet të kuptohet cili është parimi themelor partiak, obligimi statutar dhe momenti kur ndodhi shkarkimi. Parimi është se nuk mund të veprosh kundër vendimeve të partisë tënde. Mund të kesh mendim ndryshe, por kur miratohet një vendim, respektimi i tij bëhet obligativ. Obligim është të respektohen vendimet e partisë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Sa i përket momenti të shkarkimit, Isa Mustafa ka shfrytëzuar momentin ideal, kur është më i fortë se kurrë. Pse? Sepse LDK-a udhëheq qeverinë, dmth., ka mundësi të japë poste në të katër anët, me çka i shukatë ata që do ta përkrahnin Vjosën në ndonjë moment tjetër”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka theksuar se po ashtu LDK-ja është në pikën e lartë të partneritetit me ShBA, në prag të takimit të Uashingtonit.
“Me PDK-në e hutuar në opozitë e me LVV të dërrmuar në raport me SHBA-të, LDK-ja ka mbetur e vetmja shpresë për një zgjidhje ala Grenell. Shkurt: Vjosa ka thyer parimin dhe obligimin partiak, po edhe ka hyrë në konflikt me partinë e saj në momentin më të keq për veten. Tash e ka rrugën të hapur të formojë parti të re. Por, rrugën për ta marrë kreun e LDK-së ia ka mbyllë vetes me ferrë”, ka deklaruar Krasniqi.
Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti.
(M.Q / Epoka e re)