Miletiqi jep dorëheqje nga pozita e këshilltarit të Kurtit
Petar Miletiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai dorëheqjen e ka shpjeguar përmes një letre të cilën ia ka dërguar Kurtit.
Në letër është thënë se e ka kuptuar që si këshilltar i jashtëm roli i tij nuk do të ishte i rëndësishëm sa i përket ndihmës së serbëve në Kosovë.
“Me këtë letër dua t’ju njoftoj se nga sot nuk jam formalisht këshilltar i jashtëm politik i Kryeministrit të Kosovës. Në fjalitë e ardhshme, kam ndërmend të shpjegoj vendimin tim. E kuptova në fillim të këtij viti se roli im si këshilltar i jashtëm nuk do të ishte i rëndësishëm dhe më vonë nuk do të ishte funksional sa i përket ndihmës së serbëve në Kosovë”, është thënë në letrën e Miletiqit.
Më tutje, ai ka thënë se nuk është pyetur dhe as konsultuar për asnjë vendim të kryeministrit apo të qeverisë. Ai është ankuar edhe për ndarjen e fondeve për organizatat joqeveritare duke thënë se ato janë ndarë vetëm për OJQ-të shqiptare. Miletiqi ka thënë se dorëheqja e tij nuk është për shkak të presioneve.