Miliarda dollar shpenzime për armë, Arabia Saudite nuk pyet për krizë
Gazeta britanike Financial Times zbuloi se Arabia Saudite vazhdon të blejë armë, pavarësisht krizës ekonomike që po kalon, si dhe masave shtrënguese që njoftoi në maj.
Gazeta thotë se qeveria ka njoftuar zyrtarët kompetentw se biznesi me blerjen e armëve do të vazhdojë sipas planit të vendosur, pa asnjë ndryshim.
Dy ditë pasi Rijadi njoftoi masa shtrënguese, krahu mbrojtës i kompanisë amerikane Boeing fitoi kontrata me vlerë 2.6 miliardë dollarë për të furnizuar mbretërinë me më shumë se 1.000 raketa sipërfaqe-ajër dhe raketa anti-anije.
Gazeta citon ekspertët që thonë se shitjet e armëve janë “pjesë e marrëveshjeve afatgjata dhe se ato janë prova që një nga importuesit më të mëdhenj të armëve në botë vazhdon të shpenzojë për mbrojtje”, duke iu referuar Arabisë Saudite.
Lockheed Martin, nga ana tjetër, tha se nuk kishte parë një rënie të shpenzimeve të mbrojtjes për ndonjë nga klientët e saj kryesorë në Lindjen e Mesme.
Lockheed Martin është një prodhues amerikan i armëve që furnizon sistemet e mbrojtjes raketore THAAD në Arabinë Saudite.
Robert Harward, shefi ekzekutiv i filialit të Lindjes së Mesme të kompanisë, tha që ishte shumë herët të thuash nëse presionet e buxhetit do të transferoheshin në sektorin e mbrojtjes, por ai priste që klientët e kompanisë, përfshirë Arabinë Saudite, të vazhdojnë prokurimin.
Financial Times citon një tjetër CEO në një kompani tjetër prodhuese të Gjirit, i cili thotë se kompania e tij “nuk ka dëshmuar ndryshime në qëndrimet e klientëve”.
Analistët parashikojnë që shitjet e reja të armëve të shtrenjta do t’i nënshtrohen disa kufizimeve nëse duhet të bëhen shkurtime, tha gazeta.
Ministria saudite e Financave i tha gazetës se mbretëria do të vazhdojë të mbështesë nevojat e saj ushtarake dhe nuk do të kursejë burime për të mbrojtur njerëzit dhe vendin e saj.
Ministria tha se po punonte për të rregulluar shpenzimet, për të siguruar që mbretëria të marrë pajisje mbrojtëse me çmimin e duhur për sasinë e duhur me specifikimet e duhura.
Në vitin 2019, shpenzimet ushtarake të Arabisë Saudite arritën në 198 miliardë rialë sauditë (52.8 miliardë dollarë), që është një rënie prej 18.3 përqind në krahasim me vitin 2018.
Rijadi ia atribuoi këtë ulje “përmirësimit të blerjes dhe planifikimit”, jo një ulje të fondeve.
Analistët e pavarur vlerësojnë se shpenzimet për mbrojtjen saudite në të vërtetë kanë qenë shumë më të larta në vitin e kaluar.