Miliardat në infrastrukturë, premtime reale apo fushatë zgjedhore?
Pas zgjidhjes së kontestit të emrit, ekzekutivi në Maqedoni ka thënë se e gjithë energjia tani do të përqendrohet në çështjet ekonomike e infrastrukturore, me qëllim përmirësimin e standardit të qytetarëve.
Ditë më parë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, së bashku me anëtarë të Qeverisë, ka promovuar planin për ndërtimin e qindra kilometrave rrugë në vlerë prej 1 miliard e 300 milionë euro.
“Në Maqedoni po ndërtohen rrugë sikur asnjëherë më parë në historinë e shtetit tonë… është paraparë ndërtimi i rreth 1 mijë kilometrave autostradë, rrugë magjistrale, rajonale dhe infrastrukturë tjetër rrugore. Projektet janë bërë, fondet janë siguruar dhe vetëm pritet nisja e punës…besoj se nuk do të mund të gjeni makineri të lirë që nuk do të jetë në funksion të ekonomisë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Koço Angjushev.
Edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë, kanë premtuar edhe shumë masa tjera, subvencione, investime të jashtme, hapje të fabrikave dhe ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe rritjen e pagave për punonjësit aktualë, rritjen e ndihmave sociale, si dhe të pensioneve.
Por, sa reale janë këto projekte për t’u realizuar në gjendjen në të cilën ndodhet vendi? Nga opozita thonë se projektet nuk janë të Qeverisë aktuale, por të asaj të kaluarës që ishin në realizim e sipër. Nga VMRO-ja akuzojnë Qeverinë për dështim në çdo sferë të ekonomisë.
“Për fat të keq, LSDM-ja nuk ka realizuar as 50 për qind të investimeve kapitale që kishte premtuar në fillim të vitit të kaluar. Qeveria aktuale në pjesën e infrastrukturës lavdërohet me projekte të Qeverisë së kaluar të VRMO-së. Ajo nuk po bën asgjë tjetër përveç se po vazhdon me projektet e Qeverisë së kaluar, të cilat i kishte ndërprerë për të dalë më pas para opinionit se, ja gjoja ajo po punon për zhvillimin ekonomik. Ajo ka humbur besimin e qytetarët dhe sa më shpejt duhet të largohet nga pushteti”, ka deklaruar Dimçe Arsovski nga VMRO DPMNE-ja.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve ekonomike kërkojnë stabilitet politik që të mund të ketë sukses në ekonomi.
“Në një vend ku nuk ka qeverisje stabile, ku nuk ka harmoni mes pozitës dhe opozitës, ku ka gjithmonë protesta apo trazira, është një mesazh se kompanitë e huaja nuk janë të mirëseardhura. Prandaj, unë nuk e di se ku e merr këtë optimizëm kryeministri kur thotë se do të ketë zhvillim. Unë vlerësoj se këto janë mesazhe parazgjedhore, se sa që mund të jenë të reale, edhe pse do të kisha pasur dëshirë që për herë të parë të jem gabim”, ka vlerësuar Visar Ademi, njohës i çështjeve të ekonomisë.
Ai ka theksuar se shteti, në vend të zhvillimit ekonomik të premtuar nga kryeministri, sërish do të përballet me krizë politike nëse nuk do të pranohet kërkesa e opozitës për zgjedhje, pasi në këtë rast do të ketë bojkote dhe rrjedhimisht ngecje të mëtejme në ekonomi.
“Pas zgjidhjes së kontestit të emrit, çështja kryesore do të duhej të ishte zhvillimi ekonomik, mirëqenia qytetare, krijimi i vendeve të reja të punës, sepse neve na largohen njerëz, na largohen të rinj, por mendoj se përsëri ne, në vitin 2019 do të kemi ngufatje të institucioneve”, ka deklaruar Ademi.
Maqedonia e Veriut është një nga vendet me rritje të ulët të ekonomisë në rajon dhe me një pagë mesatare që sillet në rreth 400 euro. Për shkak të krizës politike ka pasur shumë pak investime të huaja, si dhe pengesa tjera që kanë çuar në një rritje të vogël ekonomike në më pak se tre për qind aq sa pritet të jetë edhe në vitin 2019. /Rel/