Miliarderët kërcënojnë të largohen nga Zvicra
Miliarderët e pasur po kërcënojnë të largohen nga Zvicra për shkak të një propozimi sipas të cilit banorët me një trashëgimi prej më shumë se 50 milionë franga (53.1 milionë euro) do të paguanin një taksë prej 50 për qind, shkruan “Bloomberg”.
Në një anketë të qershorit nga firma e auditimit “PvC”, dy të tretat e pronarëve të bizneseve, trashëgimtarët e të cilëve mund të prekeshin nga taksa e re, treguan se po konsideronin një transferim parandalues të aseteve të tyre te anëtarët e tjerë të familjes.
Më shumë se gjysma thanë se po mendonin të largoheshin jashtë vendit. Ndërkohë, trashëgimia aktualisht tatohet vetëm në disa kantone. Zvicra aktualisht nuk ka taksë mbi trashëgiminë në nivel shtetëror. Disa kantone kanë një taksë të tillë, por bashkëshortët dhe fëmijët, pra vija e parë e trashëgimisë, përjashtohen në shumicën e rasteve. Shkalla e tatimit mbi trashëgiminë në disa kantone është maksimumi 3.5 për qind.
Kundërshtarët e propozimit, përveç rrezikut që të pasurit thjesht të largohen, shohin edhe rrezikun e dëmtimit ekonomik. Ata paralajmërojnë se taksa e propozuar është aq e lartë sa trashëgimtarët e kompanive do të duhet të shesin asetet për ta paguar atë. Kjo do të rrezikonte vendet e punës, veçanërisht nëse blerësi do të ishte i huaj, sepse nuk do të kishte gjasa që ai të mbante prodhimin në Zvicër të shtrenjtë.