Milicaj: Dukagjini synon mesin e tabelës
Mark Milicaj ka thënë për “Epokën e re” se Dukagjini synon fitore ndaj Ballkanit në ndeshjen e parë të edicionit 2019/2020. Anësori beson se skuadra nga Klina kampionatin do ta përfundojë në mesin e tabelës.
KF Dukagjini nga Klina është gati për aventurën në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Mark Milicaj për “Epokën e re” ka thënë se skuadra Dukagjini ka zhvilluar një fazë të mirë përgatitore dhe synimi i saj në elitë është mesi i tabelës. “Kemi bërë përgatitje të mirë për kampionatin e ri, pasi kemi filluar me kohë stërvitjet ku ishin në Ohër për 13 ditë. Synimi i Dukagjinit në këtë edicion është që të stabilizohet në Superligë dhe ta përfundojë kampionatin në mesin e tabelës”, ka thënë Milicaj.
Ish-anëtari i Besës dhe Feronikelit ka folur edhe për trajnerin Xhengiz Rexhepi dhe transferimet që ka bërë klubi në këtë afat kalimtar. Ai ka lavdëruar trajnerin e ri dhe futbollistët që kanë “aterruar” në Klinë. “Trajneri ka sjellë një frymë të re brenda ekipit, pasi po punon shumë dhe në mënyrë profesionale, duke shpjeguar gjithçka në detaje. Ai është mjaft komunikues me futbollistët dhe ka krijuar një atmosferë të mirë brenda skuadrës. Sa iu përket transferimeve, jam i kënaqur, edhe pse nuk kemi bërë transferime të lojtarëve me emër, por që të gjithë janë lojtarë me kualitet të lartë dhe të gjithë ata po punojnë maksimalisht dhe do ta ndihmojnë shumë skuadrën”, ka shtuar ai.
Mark Milicaj, që është ndër më meritoret për suksesin e Dukagjinit në Ligën e Parë, ka thënë se skuadra nga Klina synon fitoren në ndeshjen e parë në Superligë ndaj Ballkanit. “Ndeshjen e parë e presim skuadrën e Ballkanit dhe patjetër se do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne do luajmë për fitore dhe do ta japim maksimumin që t’ia arrijmë këtij qëllimi. Ka rëndësi shumë të madhe që të startojmë me fitore, por jemi të vetëdijshëm për kualitetin e kundërshtarit, sepse Ballkani ka bërë shumë transferime cilësore në këtë afat kalimtar”, ka deklaruar Milicaj.
/Veton ZYMBERI/