Milicaj: Mbijetesa, mision i vështirë për Dukagjinin

06 dhjetor 2019 | 21:27

Mark Milicaj për “Epokën e re” e ka pranuar faktin se Dukagjini e ka të vështirë të mbetet në Superligë edhe për kampionatin e ardhshëm.

KF Dukagjini nga Klina u inkuadrua me shumë bujë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Kjo skuadër bëri shumë përforcime dhe emëroi edhe trajnerin e ri para edicionit 2019/2020, por deri tash gjitha këto i kanë shkuar huq për faktin se pati një sezon shumë të dobët dhe përfundoi e fundit në tabelë.

Një prej futbollistëve kryesorë në këtë klub, Mark Milicaj, ka thënë të enjten për “Epokën e re” se klubi nga Dukagjini do ta ketë të vështirë sigurimin e mbijetesës, sepse në këtë edicion të garave largohen katër klube nga IPKO Superliga. “Realisht nuk kemi pasur një sezon të mirë në bazë të rezultateve dhe renditjes në tabelë. Kur e kemi parasysh faktin se katër skuadra do të bien nga Superliga, atëherë mund të them se sigurimi i mbijetesës do të jetë shumë i vështirë”, ka thënë Milicaj.

Skuadra e Dukagjinit ishte më e mirë në garën e Kupës, ku e eliminoi nga kjo garë skuadrën me traditë të madhe në futbollin e Kosovës, Besën e Pejës. Në 1/8 e finales skuadra e Dukagjinit do të përballet me Vitinë. Milicaj beson se skuadra nga Klina do të kalojë edhe këtë rreth dhe do të mund të shkojë sa më lart që është e mundur. “Duke mos dashur ta nënçmoj kundërshtarin, besoj se edhe këtë xhiro do të kualifikohem. Kupën do ta ndjekim se kemi mundës, por shpresoj të kemi edhe fat”, ka shtuar Milicaj.

Përveç që arriti më së paku fitore dhe u pozicionua në fundin e tabelës, Dukagjini është dalluar në këtë sezon edhe për sulm të dobët. Nga shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara kjo skuadër realizoi vetëm gjashtë gola, kurse pranoi plot 29 gola. Ish-sulmuesi i shumë klubeve në Kosovë, Mark Milicaj, ka kontratë me skuadrën e Dukagjinit edhe gjashtë muaj. “Po ta shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kam kontratë gjashtë muaj me Dukagjinin, por duhet të ulem të bisedoj me kryesinë dhe të shoh cilat janë planet e klubit për të ardhmen e pastaj do të vendos, por Dukagjini do të jetë primar”, ka shtuar Milicaj.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklarimeve…