Milik dërgon Juven në finale të Kupës së Italisë
Paraqitja nuk ishte më e mira e mundshme, por rëndësi ka fakti, që kaluan. “Bardhezinjtë” e Juventus u mundën me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, mbrëmjen e kësaj të marte, në “Stadio Olimpico”, nga “Bardhekaltërit” e Lazio, mirëpo avantazhi i siguruar në fitoren, 2 me 0, në sfidën e parë gjysëmfinale, të Kupës, në Torino i mjaftoi djemve të Allegri, për t’u kualifikuar.
“Shqiponjat” kryeqytetase drithëruan jo pak “Zonjën e Vjetër”, me “bomberin”, Taty Castellanos, i cili shënoi dy gola, në minutat 12’ e 49’, duke e bërë ekipin e tij, të “flirtojë” me një përmbysje të madhe, mirëpo një gol i “bomberit” polak, Akardiusz Milik, në të 83’-tën i mjaftoi “Bardhezinjve”, për të siguruar një “biletë” e cila mund t’i japë trofeun e vetëm këtë sezon.
Kështu, siç theksuam edhe më lart, djemtë e teknikut, Massimiliano Allegri kalojnë në finalen e madhe, të Coppa d’Italia, sfidë e cila do të luhet mbrëmjen e 25 majit, pikërisht në këtë stadium, ku sot u kualifikua, teksa si kundërshtarë do të ketë fituesin e çiftit Atalanta-Fiorentina, sfidë kjo që do të zhvillohet mbrëmjen e të mërkurës.