Miliona euro të investuara nuk e nxorën Kosovën nga kriza energjetike
Qindra miliona euro llogariten investimet që janë realizuar në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, që nga viti 2013 kur edhe është privatizuar rrjeti kosovar i shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak”.
Vjetërsia e termocentraleve vazhdimisht është përmendur si arsye kryesore e mungesës së këtij produkti që prodhohet në këtë korporatë.
Vetëm nga buxheti vetanak i KEK-ut, pas privatizimit, thuhet se janë investuar 76 milionë euro në dy termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Skënder Bucolli, zyrtar për informim në Korporatën Energjetike të Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Termocentralin “Kosova B”, investimet janë bërë kryesisht në gjenerator dhe pompat furnizuese me avull.
“Kurse, investime me vlera më të mëdha janë realizuar në Termocentralin ‘Kosova A’, kryesisht në pjesët që kanë pasur për qëllim rritjen e performancës dhe zvogëlimin e ndotjes së ambientit”, thotë Bucolli.
Nuk është vetëm kjo shumë e investimeve që janë bërë në këto termocentrale. Për Radion Evropa e Lirë, më herët nga zyrtarë të KEK-ut, është thënë se që nga viti 2003 e deri në vitin 2016, më shumë se 400 milionë euro janë investuar në këto dy termocentrale, kurse nuk dihet se sa është vlera e donacioneve.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se që nga përfundimi i luftës janë investuar mbi 1.2 miliardë euro në sektorin e energjisë.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare, ndërkaq, theksojnë se pavarësisht investimeve milionëshe në termocentralet e KEK-ut, përmirësime në terren nuk po vërehen.
Kushtrim Puka, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), thotë për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë ka ende jostabilitet me energji elektrike, por edhe ndotje të ambientit nga termocentralet.
“Vetë problemi i ndotjes së ajrit në Prishtinë, sidomos në komunën e Obiliqit, tregon se nuk është bërë investim i mirëfilltë në këtë drejtim, duke marrë parasysh edhe faktin se termocentralet janë shumë të vjetra”, thotë Puka për Radion Evropa e Lirë.
Pavarësisht investimeve, Termocentrali “Kosova A” që përbëhet nga pesë blloqe, do të mbyllet së funksionuari në vitin 2023, kur pritet të përfundojë dhe vihet në funksion Termocentrali “Kosova e Re”.
Investimet e deritashme në termocentralin “Kosova A”, Kushtrim Puka i quan të gabuara. Ai rikujton se Qeveria e Kosovës ishte zotuar se për shkak të vjetërsisë dhe pamundësisë për t’ia ulur nivelin e ndotjes, në fillim të vitit 2017, do të mbyllet së funksionuari ky termocentral.
Ky ishte zotimi i Qeverisë së Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të zbatimit të standardeve të Bashkimit Evropian për emetimin e gazrave.
“Këto investime janë të gabuara, për vetë faktin se një termocentral mbi 30 vjet i vjetër, është dashur të dekomisionohet. Ky ka qenë edhe plani fillestar dhe premtim i qeverive të kaluara që ky termocentral do të mbyllet. Është humbur edhe mbështetja e Komisionit Evropian për procesin e dekomisionimit që mund të kushtojë mbi 50 milionë euro, mjete këto që më vonë do të barten te konsumatorët”, shpjegon Puka.
Ndryshe, pas më shumë se një dekadë përgatitjesh në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ka arritur të nënshkruajë marrëveshjen komerciale më kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Ky termocentral, sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, Kosovës i garanton pavarësi energjetike dhe siguri të vazhdueshme me energji elektrike, duke sjellë efekte të mëdha anësore në krijimin e vendeve të punës.
Ndërtimi i këtij termocentrali, që sipas Llukës, kap vlerën prej rreth 1.3 miliard eurosh, do të jetë një katalizator i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Gjatë fazës së ndërtimit pritet të punësohen rreth 10 mijë persona, kurse pas përfundimit të fazës së ndërtimit, në punë do të mbesin 500 punëtorë.