Miliona individëve në SHBA iu vodhën të dhënat personale
Të dhënat personale të rreth 106 milionë individëve në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada u vodhën gjatë një sulmi kibernetik kundër shërbimeve financiare të kompanisë “Capital One”.
“Capital One” është një lëshues i madh i kartelave të kreditit në SHBA.
Njoftimi i kompanisë erdhi pasi hakerja e dyshuar, Paige Thompson, u arrestua të hënën.
Sipas “Capital One”, të dhënat e vjedhura përfshijnë emra, adresa dhe numra telefoni të njerëzve që kanë aplikuar për karta krediti.
Por, hakerja nuk ka arritur të ketë qasje në numrat e llogarive të kartave të kreditit, tha kompania “Capital One”.
Sulmi, i cili u identifikua më 19 korrik, preku rreth 100 milionë individë në SHBA dhe 6 milionë në Kanada.
Seanca dëgjimore për hakeren e dyshuar u caktua për 1 gusht në qytetin Sietëll.