Miliona njerëz nëpër botë kremtojnë shenjtërimin e Nënë Terezës
Miliona njerëz nëpër botë kanë kujtuar sot Nënë Terezën, në dyvjetorin e shenjtërimit të saj nga Vatikani, që përkon gjithashtu edhe me 21-vjetorin e ndarjes nga jeta.
E lindur në Shkup, nga prindër shqiptarë, më 26 gusht të vitit 1910, Gonxhe Bojaxhiu u shndërrua në një nga misionaret më të mëdha të luftës kundër varfërisë, për të cilën mori edhe Çmimin Nobel.
Veprimtarinë e saj, Nënë Tereza e zhvilloi kryesisht në Kalkuta, Indi, ku shkoi më 1929-n dhe ku prehet aktualisht, pasi humbi jetën pikërisht më 5 shtator të 1997-s, pas një ataku kardiak.
“Shpërndani dashurinë kudo që të shkoni. Mos lejoni asnjë njeri që vjen te ju, që të largohet i palumtur. Duke kujtuar Nënë Terezën e Kalkutës”, ka shkuar në profilin e saj në “Twitter” kryeministrja e Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee.
Në Kalkuta u organizuan ceremoni të ndryshme lutjeje, ndërsa shumë murgesha, bashëk me publikun e gjerë, ndezën qirinj në “Mother House”, që ndodhet në këtë qytet.
Edhe Kisha Katolike në Indi mbajti një meshë paraditen e sotme, ku u përkujtua veprimtaria hyjnore e Nënës së Shenjtë dhe u ndezën qirinj në nderim të saj.
Nënë Tereza ka lindur më 26 gusht 1910, në kryeqytetin e Maqedonisë Shkup, në një familje katolike të devotshme dhe u pagëzua si Agnes Gonxhe Bojaxhiu.