Militantët e përjetshëm
Shkruan: Musli Krasniqi
As atë natë, si çdo natë tjetër që nga 2 prilli, Beqir Hajrizi nuk flinte i qetë. Mekej nga pagjumësia, ndërsa nga zemra e sëmbuar dhe mendimet e përhumbura nuk i shqitej për asnjë sekondë i biri i rënë dy vjet më herët në qendër të Prishtinës, në demonstratën e madhe të asaj pranvere.
Mijëra njerëz nga e gjithë Kosova kishin shkelur në pragun e shtëpisë së tij, për t’iu gjendur pranë në ditët më të vështira të jetës. Në mesin e tyre, shumë shokë e shoqe të Naserit, të shkollës e të jetës. Ndër më të shpeshtit, ata të veprimtarisë klandestine çlirimtare.
Një trokitje e lehtë e derës e shkëputi nga kujtimet që tashmë i ishin bërë të përnatshme. Për të ishte i njohur ai kod-trokitje, por nuk e kishte idenë se kush mund të ishte atë natë.
Organizata klandestine në të cilën kishte milituar i biri, vazhdonte të gjurmohej forcërisht nga policia dhe shërbimi sekret jugosllav, prandaj edhe lëvizjet e veprimtarëve të saj, të mbetur jashtë grilave, qenë bërë shumë më të kujdesshme.
Hapi derën dhe u gjend para trupit shtatgjatë dhe fytyrës gazmore të Nuhi Berishës.
Për një çast në nurin e djaloshit përballë iu fanit imazhi i të birit.
E përqafoi i ngashëryer.
“Të kam premtuar se do të vijë”, – i tha Nuhiu dhe me dashuri prej fëmije i shtrëngoi dorën tërë kallo.
Si këtë natë, ashtu sikurse shumë herë të tjera kur shkonte për vizitë te prindërit e Naserit, përtej rregullave të vigjilencës klandestine rrinte deri natën vonë. Vizitat si kjo i konsideronte detyrë.
Ikte ashtu siç vinte, pa u dëgjuar dhe pa rënë në sytë e askujt, përveç atyre të Beqirit, të Fatimes e të familjarëve të ngushtë, të cilët përcillnin me drojë siluetën e tij derisa humbiste nën pemët e kopshtit.
Në shumë raste Nuhiu shfrytëzonte motoçikletën. E linte në bodrum dhe kujdesshëm ngjitej në katin e sipërm.
I prezantuar me emrin “Nazmi”, me orë të tëra qëndronte midis dy prindërve të Naserit, me njërën dorë në prehrin e nënë Fatimes dhe tjetrën në atë të babë Beqirit.
Edhe një premtim tjetër i mbajtur, në dëshirën e pafundme të nënë Fatimes: “Do të të çoj unë te varri i Naserit”.
* * *
Me përgatitjet e rralla prej militanti gueril, Nuhi Berisha shquhej për aftësitë e tij teorike, organizative e të aksionit. Veprimtaria në konspiracion të thellë nuk ia kishte zbehur aspak rezultatet konkrete në terren. Ai kishte rikrijuar rrjete të tëra veprimtarësh pas goditjes që pushteti serbo-jugosllav i kishte bërë organizatës në vitet 1981-1982, me arrestimin e pothuajse tërë udhëheqjes së saj në krye me Mehmet Hajrizin dhe vrasjen në mërgim të Kadri Zekës.
Tani në bashkëveprim me veprimtarin e paepur, qëndrestarin e pashembullt, organizatorin e pashoq dhe kryengritësin e pandalshëm, Rexhep Malajn, po hidhnin gurë të rinj në themelet e kryengritjes.
Veprimtaria intensive e tyre nuk kishte si të mos binte në sy të UDB-së, e cila kishte intensifikuar veprimtarinë përndjekëse ndaj lëvizjes kombëtare.
Në natën e acartë midis 11 dhe 12 janarit 1984 në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, në një rrethim të hekurt ushtarako-policor dhe pas një beteje deri në fishekun e fundit, u bënë vetë gurthemel i lirisë, duke mbetur lapidarë të përjetshëm.
* * *
Në shtëpinë e Beqir Hajrizit, pranë briskut të Naserit qëndron brisku i Nuhi Berishës, i harruar gjatë vizitës së tij të fundit, pak ditë para rënies heroike, si dëshmi e idealit të përbashkët.