Millan Radoiçiq lirohet nga mbajtja, i ndalohet shkuarja në Kosovë
Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për Radoiçiqin, pas intervistimit, raporton Rel.
Prokuroria e ka kërkuar paraburgimin me arsyetimin e rrezikut të arratisjes.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Me vendimin e 4 tetorit, Radoiçiqit i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës.
Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Është thënë se atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe ai është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.
Radoiçiq akuzohet në Serbi për blerje të armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Ai është ndaluar për 48 orë nga autoritetet në Serbi, më 3 tetor.
Radoiçiq e ka mohuar kryerjen e këtyre krimeve.
Kosova e ka bërë fajtore Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilin e ka konsideruar “akt terrorist”.
Beogradi, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se serbët lokalë në Kosovë, “janë rebeluar kundër terrorit të Kurtit”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.