
Millorad Dodik dënohet me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit
Gjykata e Bosnje-Hercegovinës në Sarajevë e ka dënuar presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit, për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Pas marrjes së vendimit, Dodik u ka thënë mbështetësve të tubuar para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska në Banjallukë, se “nuk ka arsye për shqetësim”.
“Më dënuan me një vit në burgun e tyre. Thonë se jam fajtor. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Unë jam mësuar të përballem edhe me gjëra më të vështira, prandaj do ta përballojmë edhe këtë”, ka thënë Dodik, raporton Rel.
Ky është dënimi i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, është liruar nga të gjitha akuzat.
Në pritje të vendimit, në Banjallukë është mbajtur një protestë si shenjë mbështetjeje për Dodikun.