Millorad Dodik fiton ulëse në presidencën e Bosnjës

08 tetor 2018 | 11:52

Nacionalisti, Millorad Dodik është shpallur fitues për ulësen e serbëve në presidencën tripalëshe të Bosnjës, derisa priten rezultatet përfundimtare më vonë gjatë ditës së hënë.

Ngritja e liderit të linjës së ashpër në zyrën kryesore, pozitë të cilën do ta ndajë me liderin mysliman dhe atë kroat, mund të shtrijë nacionalizmin në Bosnjën e cila është përballur me luftë dy dekada më parë.

Dodik, lideri prej kohësh i serbëve të Bosnjës në Republikën Serbe, ka kërcënuar më herët se do të organizojë votime për të ndarë këtë rajon, çka do të mund të komplikonte marrëveshjen që ka siguruar paqen në këtë rajon nga konflikti i viteve 1992-95.

Tani ai do të bashkudhëheq shtetin, të cilit i është referuar si “koncept i dështuar”.

“Fitorja ime është e pastër”, ka thënë Dodik nga Banja Lluka, i cili njëherësh është kryeqyteti i subjektit me shumicë serbe.

Ai ka thënë se ka fituar 56 për qind të votave, duke mundur rivalin Mlladen Ivaniq, pas publikimit të rezultateve, kur janë numëruar 85 për qind të votave.

Komisioni Zgjedhor ka konfirmuar udhëheqjen e Dodikut, ndonëse rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike më vonë gjatë ditës.

Ivaniq në anën tjetër ka thënë se duhet pritur ende deri në shpallje të fitores.

“Ne do të presim raportin e vëzhguesve tanë për të parë nëse gjithçka ka shkuar mirë”, ka thënë ai në një adresim televiziv.

Dalja në këto zgjedhje ka qenë 53.3 për qind, në shtetin me ku 3.3 milionë persona kanë pasur të drejtë vote.

Sefik Gjaferoviq nga Partia për Aksion Demokratik, ka udhëhequr në garën për ulësen boshnjake në presidencë, duke fituar 38 për qind të votave.

Ndërkohë, social-demokrati Zheljko Komsiq, që ka shërbyer dy mandate në presidencë, ka udhëhequr me 49.5 për qind të votave, duke mundur kandidatin tjetër, Dragan Çoviq.

Çoviq, që ka fituar 38 për qind të votave, ka bërë thirrje për të ndarë kroatët si etni të veçantë në këtë shtet.

Ai ka pranuar humbjen mirëpo ka thënë se “nuk ka parë kurrë më parë” një krizë të tillë në këtë shtet.

Sistemi kompleks i Bosnjës, që për disa konsiderohet jofunksional, është rezultat i luftës në vitet e 90-ta, çka ka rezultuar me tensionim të marrëdhënieve në mes të serbëve, kroatëve dhe myslimanëve.

Në këtë konflikt kanë vdekur 100,000 persona dhe miliona tjerë janë zhvendosur edhe si pasojë e ekonomisë dhe infrastrukturës së dobët.

Marrëveshja për paqe, që ka ndalur luftimet, ka ndarë shtetin në dy pjesë, njërën të dominuar nga serbët dhe tjetrën në shtëpi të myslimanëve dhe minoritetit kroat.

Andaj Bosnja është e ndarë në tri etni, Republikën Serbe e dominuar nga serbët dhe Federata Myslimano-Kroate e boshnjakëve dhe kroatëve.

Të dyja subjektet janë të lidhura nga institucione të nivelit të njëjtë në presidencën tripalëshe.

Ata funksionojnë së bashku nga një administratë relativisht e dobët e udhëhequr nga presidenca tripalëshe, e cila ka sistem rotativ në mes të anëtarëve që kanë fituar pozita, çdo tetë muaj.

Përveç zgjedhjes së liderëve në presidencë, votuesit kanë zgjedhur më 7 tetor edhe ligjvënësit parlamentarë dhe ata në kantone./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtarët më të shquar të botës për çështjet e klimës…