Millorad Dodik nënshkruan ligjin anti-Dejton, reagon ambasada e ShBA-së: Është sulm ndaj rendit kushtetues

07 korrik 2023 | 17:28

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, ka reaguar pas dekretimit të ligjit për shpalljen e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për publikimin e Ligjeve dhe Rregulloreve të tjera të Republikës Srpska nga presidenti ultra-nacionalist i RS-së – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, duke thënë se një veprim i tillë është sulm ndaj rendit kushtetues të BeH.

Përmes miratimit të këtij ligji, vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, nuk do të botohen në gazetën zyrtare të RS-së.

Por, për këtë ambasada e ShBA-së ka thënë se një veprim i tillë nga Dodik është anti-kushtetues, madje e konsiderojnë si një sulm ndaj marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftë në BeH, më 1995).

“Vendimi i Presidentit të Republikës Srpska për të nënshkruar ndryshimet në Ligjin për publikimin e ligjeve dhe rregulloreve të tjera të Republikës Srpska, të cilat u anuluan nga Përfaqësuesja e Lartë më 1 korrik, është antikushtetues dhe një sulm i qëllimshëm ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, rendit kushtetues të BeH dhe shtetit të BeH”, kanë shkruar nga ambasada amerikane në “Twitter”.

Ndërkaq, ata kanë potencuar se Shtetet e Bashkuara “mbështesin sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë individët e përfshirë në sjellje anti-Dejton përgjegjës për veprimet e tyre”.

Ndryshe, Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka nënshkruar këtë të premte dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për publikimin e Ligjeve dhe Rregulloreve të tjera të Republikës Srpska, i cili ishte miratuar nga Asambleja Parlamentare e RS-së, në një seancë speciale të mbajtur me 21 qershor 2023.

Përmes miratimit të këtij ligji, vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, nuk do të botohen në gazetën zyrtare të RS-së.

Ky nënshkrim i dekretit nga Dodik vjen vetëm pak ditë pasi që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, kishte vendosur të shtunën e 1 korrikut lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

“Pasojat më të mëdha të aventurizmit të tillë të liderëve politikë në RS do t’i vuajnë banorët e RS-së”, potencoi ai.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë njoftoi se ka marrë një vendim për ndryshimet në Kodin Penal, i cili sanksionon sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim. Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe ju të gjithë e dini shumë mirë se çfarë përfshijnë fuqitë e Bonit në dispozicionin tim”, paralajmëroi Schmidt.

Në konferencën për shtyp që ka mbajtur ai nuk ka specifikuar saktësisht se cilat dispozita të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës po ndryshon, por mediat boshnjake supozojnë se bëhet fjalë për artikuj që flasin për sulm ndaj rendit kushtetues, për tentativat për të shkëputur me forcë një pjesë të vendit dhe për dobësimin e fuqisë ushtarake të shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Agim Ademi ka pritur sot në zyrën e tij…