Millosheviqi: “Burimi i fatkeqësive serbe është Kushtetuta e vitit 1974”! (11)

23 dhjetor 2024 | 11:41

Anatomia e nazizmit serb: Sllobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (11)

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

Përse, regjimi serb, e dënoi me vdekje dhe e ekzekutoi, Ferat Mujën?

Hitleri vazhdimisht, derisa po përgatiste terrenin për të sulmuar Çekinë, Sllovakinë, Poloninë e Austrinë, propagonte se: “Rreziku nga lufta vije ngase Gjermania është e pabarabartë në armatim me Anglinë dhe Francën”, përkatësisht se: “Marrëveshja e Versajës është burim i të gjitha fatkeqësive”.
Hitleri ishte plot mendje kur deklaronte se: “Plani im që në fillim ka qenë hedhja poshtë e Traktatit të Versajës…Për Gjermaninë e vetmja mundësi për zgjerimin territorial është pushtimi i territoreve të reja në Evropë. Duhet me e thy synimin e Francës për hegjemoni në Evropë. Në shkatërrimin e Francës duhet parë mjetet, mënyrën përmes së cilës popullit gjerman do t’i mundësohet ekspansioni i ri”. Millosheviqi në të njëjtën frymë me arrogancën e nazizmit serb, kishte deklaruar se: “Serbia është e pabarabartë me republikat tjera jugosllave, se për këtë pabarazi duhet gjetur shkaqet tek kushtetuta e vitit 1974. Burim i të gjitha fatkeqësive serbe është Kushtetuta e vitit 1974”. Dihet se shtypi botëror i kohës nuk shprehte shqetësime të mëdha për ardhjen e Hitlerit në pushtet. Shtypi amerikan fjala vije shkruante se kërcënimet e nazistëve për të hedhur poshtë Marrëveshjen e Versajes do të ngelin fjalë boshe. Shtypi anglez madje ishte aq jokritik ndaj aktit të ardhjes në pushtet të Hitlerit sa që një pjesë e borgjezisë angleze kot ngazëllehej me pretendimet e Hitlerit për luftën kundër bolshevizmit. Ndërsa shtypi francez shkruante se “kabineti i Hitlerit është instrument i luftës”. Sa u përket reagimeve të politikës zyrtare në vitet kur Millosheviqi filloi ngritjen e tij drejt pushtetit dhe diktaturës, mund të thuhet se politikajtë jugosllavë të kohës, duke përfshirë këtu edhe ata shqiptarë, i kishin nënçmuar kërcënimet e Millosheviqit, e sidomos fuqinë shkatërruese të Serbisë që historikisht kishte një traditë egërsie ushtarake. Oportuniteti që dëshmuan republikat tjera në raport me kërcënimet serbe ndaj Kosovës, duke veçuar me këtë rast udhëheqjen sllovene i mundësoj Millosheviqit ndër të tjera edhe rimilitarizimin e Serbisë në vitet 1987 – 1991. Milosheviqi, ngjashëm si dikur Hitleri, po i shfrytëzonte rrethanat ndërkombëtare, kryesisht rënien e komunizmit dhe në vitet e sipërcituara armatosej dhe njëherit i forconte aleancat, në radhë të parë me malazezët dhe maqedonët.
I trimëruar nga këto zhvillime, Millosheviqi, i orientuar politikisht mbi bazat e nacionalizmit serbomadh, u thoshte këshilltarëve politik e ushtarak se tani mund të fillonte periudha e ekspansionizmit fillimisht nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe në fund Kosova, të cilën që nga suprimimi i autonomisë së saj e mbante në regjim të hekurt, pra përmes huntës ushtarako – policore. Ndërkohë që, derisa po hartonte planet për invazionin në Slloveni e Kroaci, ai kërkonte, insistonte edhe në nivelin e atëhershëm jugosllav suprimimin sa më të shpejt të autonomisë së Kosovës dhe më pas edhe të Vojvodinës. Ç’është e vërteta Millosheviqi edhe në luftën kundër autonomisë së Kosovës, si pikënisje kishte programin e vjetër të nacionalizmit serb, që në raport me çështjen shqiptare buronte që nga periudha e ideologut të pansllavizmit serb, Ilia Garashanini, të Nikolla Pashiqit, Ivo Andriqit, Vasa Çubrilloviqit, Aleksandar Rankoviqit, Dobrica Qosiqit e shumë të tjerëve, të cilët ishin të vendosur që të realizonin spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe hapësirat e ish Jugosllavisë. Vlerësimet e tyre ishin se me këtë do të pamundësohej një herë e përgjithmonë që shqiptarët në këto hapsira etnike të bëheshin faktor, demografik, politik, ushtarak, ekonomik, pra që etnikumi shqiptar të rrudhej mundësisht vetëm në suazat e kufijve të sotëm politik të Shqipërisë. Së fundi regjimeve serbe, të të gjitha kohërave, Kosova u duhej pa ne shqiptarët. Shkolla e vjetër e politikës shteterore serbe ndaj çështjes shqiptare, synonte që me spastrimin etnik nga elementi shqiptar të Kosovës, të krijonte rrethana demografike, politike, ushtarake, ekonomike që përmes elementin sllav të afrohej gjeografikisht edhe më pranë Shqipërisë. Janë këto në esencë, planet e vjetra të pansllavizmit ruso – serb të mbështetur, frymëzuar dhe përkrahur nga Kisha ortodokse ruse, serbe e ajo greke, jo vetëm për daljen në detin shqiptar, për realizimin e të cilave projekte nacionale Milosheviqi zhvilloi katër luftëra humbëse.

Roli i kishës, ASSHA, i armatës dhe i shërbimeve sekrete

Në kohën e konfrontimeve gjermano – austriake, Anglia dhe Franca, fillimisht e mbanin pozicionin e neutralitetit, kjo derisa edhe ato u sulmuan nga Hitleri. Agjentët e Hitlerit për ti bindur kundërshtarët përdornin të gjitha metodat e tmerrit, burgosjeve, izolimeve e deri te likuidimet fizike për të cilat nuk jepej asnjë informatë dhe asnjë detaj. Ndërkaq, në vitet kur Serbia nën regjimin e Millosheviqit ishte vërsulur në fushatën politike, policore dhe më pas edhe ushtarake, Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia, secila nga to ishin përcaktuar që për shkak të problemit shqiptar, mundësisht të mos i keqësonin marrëdhëniet me Serbinë. Ky oportunitet politik i udhëheqjeve të republikave tjera jugosllave, ndaj ekspansionit serb mbi Kosovën, dhe loja e keqe me djallin, kuptohej nga zhvillimet e atëhershme politike në kreun shtetëror dhe partiak të Jugosllavisë, pra edhe në polici, armatë, sigurim shtetëror etj. Me këtë heshtje dinake, të udhëheqjeve të republikave tjera, pse jo edhe me pajtimin e shumicës së tyre me politikën serbe ndaj Kosovës, Millosheviqi po trimërohej nga dita në ditë në luftën për nënshtrimin e popullit shqiptar. Shërbimi i fshehtë i sigurimit të Serbisë, që së bashku me Kishën ortodokse serbe dhe AJ-në, ishin segmentet më besnike të shovinizmit dhe nazizmit millosheviqian, përdorte të gjitha metodat për të disiplinuar kundërshtarët politik të Millosheviqit. Kjo dhunë, në radhë të parë ishte përdorur ndaj shqiptarëve. Janë të panumërta rastet kur policia sekrete serbe inskenonte situata të paqena gjoja se grupet shqiptare të armatosura sulmonin policinë, ushtrinë apo popullatën serbe. Dihet se policia sekrete serbe vetë kishte rrënuar sa e sa varreza serbe në vitet e tetëdhjeta, qëllimisht kishte djegur Patriarkanën serbe të Pejës, madje në vitin 1982 ishte dënuar me vdekje dhe më pas ekzekutuar Ferat Muja nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë, krejt kjo për të krijuar atmosferë politike, terrori, për të arrestuar, burgosur e vrarë shqiptarë.
Në vitin 1934 Gjermania hitleriane po përgatitej për luftë, prandaj dihet se ajo armatosej me të madhe. Armatimi i Gjermanisë bëhej para syve të shteteve evropiane dhe fillimisht përveç ndonjë zëri të vetmuar diplomatik nuk kishte kundërshtime. Krahas armatimit dhe përgatitjes për luftën e madhe botërore, Hitleri me bashkëpunëtorët e tij kishin forcuar arrogancën militante në frymën e nazizmit modern. Në vitin 1991, dy vjet pasi e kishte suprimuar autonominë e Kosovës dhe të Vojvodinës dhe kur triumfalisht po përgatitej për luftën e re në Jugosllavi, Millosheviqi e armatoste ushtrinë dhe policinë, por edhe popullin serb. Dihen skenat e shpërndarjes së armëve qytetarëve serbë në Kosovë dhe në viset tjera, në vitet e tetëdhjeta gjithnjë nën sloganin: “Na jepni armë”. Armatimi për Serbinë, edhe pse ende ishte federata e brishtë jugosllave, kishte arritur, nga Rusia e largët në portin e Tivarit. Paraprakisht Velko Kadijeviq, Shef i shtatmadhorisë së ushtrisë jugosllave kishte udhëtuar në një vizitë sekrete në Moskë. Paralajmërimet e luftës gjithnjë në frymën e nazizmit serb, në ato vite po bëheshin realitet tragjik për shumë popuj të Jugosllavisë. Ndërkohë, ngjashëm si Hitlerit, të cilit nuk i kundërvihej askush, edhe Millosheviqit dhe nazizmit të tij të tipit sllav, nuk i dilte kush përpara përveç shqiptarëve të Kosovës, të cilët me asnjë kusht nuk i nënshtroheshin regjimit serb. Shtypi evropian, jo i tëri, megjithatë në vitet 1991, 1992, 1993 detyrimisht kishte filluar të shkruante se Millosheviqi e ka psikologjinë vrastare të Hitlerit. Nga historia dihet se arkivat historike ndërkaq, shkruajnë se më 5 prill të vitit 1935 ambasadori Dod shkruante nga Berlini se: “Hitleri, Gebelsi e Gerningu, të cilët aq keq e njohin historinë, e posedojnë psikologjinë e vrasësit”. Por, popullit serb, me përjashtime të rralla të pak intelektualëve demokrat dhe properëndimor, i pëlqente vozhdi i tij i ri, ai e admironte skajshmërisht Millosheviqin, duke e përkrahur programin e tij nacionalshovinist. Ngjashëm, pra historia e nazizmit modern, tani në rrethanat serbe, po ripërsëritej, si dikur në fundivitin 1938, kur gjermanët kishin përkrahur me gjithë zemër politikën e Hitlerit.

Forca dhe terrori si mjete të politikës

Logjika tradicionale hegjemoniste serbe për pushtime të territoreve të reja edhe te Millosheviqi ishte në thelb të strategjisë së tij hegjemoniste, ngjashëm, sikur edhe te Hitleri. Hitleri më 7 mars 1936 kur e kishte pushtuar ushtarakisht Rajnën, kishte deklaruar se: “Në interes të drejtës natyrore të popullit gjerman më ditën e sotme kemi vendosur sovranitet të plotë dhe të pakufizuar të shtetit gjerman në krahinën e Rajnës…”. Millosheviqi në mbledhjen e Kryesisë së Jugosllavisë mbajtur më 21 mars 1991 kishte deklaruar se: “Kuvendi i Serbisë i ka marrë funksionet e Kuvendit të Kosovës para disa muajsh dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka kontestuar të drejtën e Kuvendit të Serbisë që ti merr funksionet e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, Kuvendi i Serbisë në mënyrë legjitime kryen funksionin e Kuvendit të Kosovës”. Millosheviqi që nga ardhja e tij në pushtet kishte proklamuar qëllimin që Serbia të bëhet e “barabartë” me republikat tjera, ndër të tjera edhe me kusht që të vendos sovranitetin e saj të plot në tërë territorin e vet. Për këtë qëllim ai kishte vënë si objektiv politik që me të gjitha mjetet, politike e ato të dhunës të vendos sovranitetin e plot edhe mbi Kosovën si territor dhe krahinë aso kohe autonome, përkatësisht njësi e barabartë e federatës jugosllave. Ai që nga fillimi i karrierës së tij ishte skajshmërisht arrogant. Në këtë kontekst, është e ditur se hapur fliste se republikat tjera duhet ta kenë të qartë se Serbia do të vendos vet për fatin e saj, se për Serbinë kurrë më nuk do të vendoset jashtë saj. Ai ishte absolutist i cili kurrnjëherë nuk e kishte pyetur askënd për asgjë, i cili vet kishte marrë vendime, kurse të tjerët ishin të detyruar vetëm të pajtohen me te dhe t’i zbatojnë vendimet e tij. Vlerësohet se me pedantëri i përcillte ecjet, ngritjet politike të kundërshtarëve të vet, prandaj me kohë dhe në mënyrë “dinake” ndërmerrte masa që politikisht ti eliminonte dhe veçmas nga strukturat e pushtetit. Nuk hezitonte të bënte spastrime politike dhe likuidime të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe më të aftë, në çastin kur hetonte se ata mund t’i kundërviheshin. Millosheviqi ishte mjeshtër i vërtet për këto likuidime “politike”. Lojën e tij me njerëzit e karakterizojnë edhe ngjarjet në lidhje me emërimin dhe shkarkimin e Dobrica Qosiqit dhe Milan Paniqit nga funksionet e tyre, të Kryetarit të RFJ-së dhe të Qeverisë federative. Ashtu siç i kishte zgjedhur pa u konsultuar me askënd, dhe duke iu imponuar delegatëve të Kuvendit federativ jugosllav, ashtu edhe i kishte shkarkuar, ose i kishte detyruar në dorëheqje sikur ata të kishin qenë figura shahu. Ndryshe, vlerësohet se spastrimin më të madh politike kishte zbatuar pas kthimit të tij nga Konferenca e Dejtonit (1995), atëherë kur ishte i bindur se Perëndimi definitivisht e kishte pranuar, njohur si faktor të paevitueshëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan. Ishte koha kur ai, dukshëm, nën iluzionin e lartpërmendur mendonte se mund të bëjë çfarë të dojë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),…