Milo Gjukanoviçi pranon fitoren e opozitës

04 shtator 2020 | 10:07

Pas gati 30 vjetësh në pushtet Milo Gjukanoviç është i gatshëm të pranojë vullnetin e qytetarëve dhe të kalojë në opozitë.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se partia e tij është e gatshme ta pranojë fitoren e opozitës nëse tri aleancat politike mund të formojnë një koalicion pas suksesit të tyre në zgjedhjet parlamentare.

Tri aleancat opozitare siguruan së bashku një shumicë prej 41 deputetësh nga 81 që ka parlamenti i Malit të Zi.

“Ne respektojmë vullnetin demokratik të qytetarëve”, tha Gjukanoviçi në një intervistë me TV austriak ORF duke shtuar se partia e tij DPS do të luftojë edhe si opozitë për një shoqëri demokratike.

58-vjeçari ka qenë në pushtet në Malin e Zi në pozita të ndryshme për gati 30 vjet me radhë. Në vitin 2006 Gjukanoviçi e çoi Malin e Zi drejt pavarësisë nga Serbia dhe e shndërroi vendin në një partner të Perëndimit dhe të NATO-s në rajon.

Jo devijim nga NATO-ja dhe BE-ja

Tri aleancat opozitare thanë se janë të gatshme të formojnë një qeveri të re dhe se do të vazhdojnë përpjekjet e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Forca më e fortë mes tyre është Për të Ardhmen e Malit të Zi.

Ky grupim pro serb dhe pro rus dëshiron të formojë tani një qeveri ekspertësh me grupimin e qendrës së djathtë Paqja  është Kombi ynë, gjithashtu me orientim pro perëndimor, si dhe me partinë qytetare pro perëndimore URA. Alenca  Për të Ardhmen e Malit të Zi e cila ka edhe mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe fitoi 32,55% të votave. Të tri aleancat kanë rënë po ashtu dakord që mos ta vënë në diskutim anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Tri aleancat opozitare kanë tre muaj n ë dispozicion për të formuar qeverinë pas konstituimit të parlamenti të ri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë është dëmtuar linja e ujit Badoc Prishtinë, e cila…