Milo: Nuk do të dalë “tym i bardhë” nga oxhaku i vilës së Titos
Ish ministri i Jashtëm, Paskal Milo nuk beson se do të ketë një marrëveshje, nga takimi i sotëm në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një intervistë për Euronews Albania, Milo u shpreh se do të ketë sërish negociata, të cilat mund të mbahen pas disa ditësh.
Sipas Milos, fakti që takimi vijon prej orësh, do të thotë se palët nuk kanë dakordësi.
“Sot, për mua, nuk besoj se do të dalë “tym i bardhë” nga oxhaku i vilës së Titos në Ohër. Nuk besoj se sot do të kemi një marrëveshje përfundimtare për pranimin e aneksit në mënyrë të detajuar nga të dyja palët. Besoj se do të lihet dera e hapur, për të pasur një bisedë të dytë, një negocim të dytë që mund të jetë pas disa ditësh.
Aneksi u është paraqitur palëve, për mënyrën sesi do të zbatohet marrëveshja. Por palët kanë paraqitur opsionet e tyre rreth aneksit që u është propozuar. Çfarë është propozuar nga Beogradi, nuk është e thënë që të pranohet nga Prishtina. Çfarë është propozuar nga Prishtina, nuk është e thënë të pranohet nga Beogradi.”, theksoi ai.
Vila ku po mbahet takimi Kurti-Vuçiç në Ohër, dikur ishte në pronësi të ish liderit jugosllav, Josip Broz Tito.