Milwaukee e papërmbajtshme në miqësore, Antetokounmpo paralajmëron rivalet
Pesë ndeshje miqësore të luajtura, pesë fitore për skuadrën e Milwaukee Bucksit, që paraqitet në këtë sezon të ri të NBA-së në formë të jashtëzakonshme.
Ashtu sikurse edhe ylli i këtij ekipi, greku Giannis Antetokounmpo, ishte MVP i sezonit të rregullt vitin e kaluar. Kjo gjë nuk ndodhte që nga viti 1997, çka e bën ekipin e Bucksit një pretendent serioz për titull.
“Është diçka pozitive kur e nis sezonin e ri me të gjitha ndeshjet miqësore të fituara. Gjithsesi, e dimë që tani e tutje do të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Dimë se kemi ndërtuar një ekip të fortë, që do të shkojë përpara këtë sezon. Jemi një ekip i frikshëm dhe këtë gjë do ta tregojmë në fushë në çdo ndeshje”, ka thënë Antetokounmpo. Edhe vjet skuadra e Milwaukees ishte pretendente për titull, madje pati rezultatin më të mirë në sezonin e rregullt, por zhgënjeu në finalet e Konferencës së Lindjes.
“Ndoshta nuk isha gati për ato ndeshje, edhe pse ajo fazë është ndryshe nga kjo e sezonit të rregullt. Kemi një vit me shumë përvojë, ndaj do të jetë ndryshe për ne”, ka shtuar MVP-ja.