Milwaukee fitojnë dhe mbeten në lojë ndaj Miami, fitojnë edhe Lakersat

07 shtator 2020 | 14:01

Milwaukee Bucks treguan gjithë krenarinë e tyre duke fituar në shtesë 118-115 ndaj Miami Heat, sukses që mbajti në lojë skuadrën nga Wisconsin në serinë e gjysmëfinaleve pasi Milwaukee ngushtoi shifrat në 1-3.

Lajmi i keq për Bucks ishte dëmtimi i Giannis Antetokounmpos në kyçin e këmbës. Ylli i NBA-s ishte në dyshim për këtë përballje për shkak të përdredhjes së kaviljes së djathtë, ndërsa në fillim të periodës së dytë vendosi keq këmbën duke u rrëzuar në parket mes dhimbjesh. Antetokounmpo në më pak se 12 minuta lojë kishte mundur të shënonte plot 19 pikë. Ai ekzekutoi dy gjuajtjet e lirë që fitoi, por e pati të pamundur për të vijuar më tej.

Pas një ndeshjeje shumë të ekuilibruar, shokët e tij të ekipit mundën të fitonin në shtesë 118-115, duke rihapur serinë kundër Heat. Performancë e shkëlqyer e Chis Middleton, autor i 36 pikëve, 8 “reboundeve” dhe 8 asistimeve në 48 minuta lojë. Duke pasur parasysh mungesën e detyruar të Antetokounmpos, ai u kthye pikë referimi për Bucks. Për Miamin nuk mjaftuan 26 pikë, 12 “rebound” dhe 8 asistime të Bam Adebayo për të fluturuar më herët në finalen e Konferencës Lindore.

Los Angeles Lakers iu kundërpërgjigjën me fitoren 117-109 Houston Rocktes në përplasjen e dytë të serisë në gjysmëfinalet e Perëndimit. Një përballje e luftuar që mori rrjedhë nga një kosh i LeBron James, 32 sekonda para rënies së sirenës. Shënuesi më i mirë për kalifornianët rezultoi Anthony Davis me 34 pikë, 10 “rebound” dhe 4 asistime, ndërsa LeBron James për pak regjistroi “triple double”, duke e mbyllur takimin me 28 pikë, 11 rikuperime dhe 9 asistime në 39 minuta mbi parket. /SS/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rinor Nezir Xhemajli, shpall te pavlefshme diplomën e klasës së…