Milwaukee mposhti Atlantën dhe rikthehet në finale pas 47 vitesh
Milwaukee Bucks rikthehet në finalen e NBA-s pas 47 vitesh. Skuadra nga Wisconsin mposhti Atlanta Hawks në ndeshjen e 6-të të finales së konferencës së Lindjes me rezultatin 118-107, duke e mbyllur serinë me shifrat e përgjithshme 4-2 me ndeshje dhe duke marrë në duar trofeun e kampionit të konferencës, por mbi të gjitha duke siguruar finalet e mëdha ku përballë do të ketë Phoenix Suns.
Një arritje madhështore për Bucks që ia dolën të thyenin dy herë radhazi Hawks pa ndihmën e super-yllit të tyre Giannis Antetokunmpo, i cili vijon të jetë i lënduar dhe rolin e liderit e morri përsipër Khris Middleton që shënoi 32 pikë. Një paraqitje të jashtëzakonshme dhuroi edhe një tjetër prej basketbollistëve më të mirë të Milwaukeet, Jrue Holiday i cili realizoi 27 pikë, kapi 9 topa në tabelë dhe dhuroi 9 asistime, shumë pranë një “triple-double”, ndërkohë që ylli i Atlantës, Trae Young i rikthyer pas dëmtimit e mbylli me vetëm 14 pikë.
Sfida e zhvilluar në “State Farm Arena” të Milwakeet nisi mirë për Bucks që kapën edhe një diferencë dyshifrore, por skuadra nga Georgia u rikthye në lojë duke e ngushtuar rezultatin, aq sa dy pjesët e para u mbyllën me vetëm 4 pikë epërsi për vendasit.
Në fraksionin e tretë shpërtheu “mbreti Mida”, Khris Middleton që nisi të realizonte në mënyrë të vazhdueshme duke qenë i pakontrollueshëm për Hawks, aq sa në mbyllje të segmentit ekipi i Budenholzer kishte një avantazh prej plot 19 pikësh, 91-72. Atlanta nuk u dorëzua dhe në fraksionin e fundit e ngushtoi diferencën deri në -6, por më pas nuk pati më forcë dhe “hodhi armët” përballë Milwaukeet.
Një fitore mjaft e rëndësishme e ardhur pa ndihmën e një basketbollisti të klasit të lartë si Antetokunmpo , dëshmon forcën e grupit që Bucks kanë dhe tashmë i pret finalja e madhe e NBA për të kërkuar titullin e parë kampion pas 50 vitesh agjërim, me shpresën qe Giannis te rikthehet ne parket. /Supersport/