Milwaukee ngushton epërsinë e fitoreve ndaj Phoenixit

12 korrik 2021 | 14:17

Milwaukee Bucks e ka rihapur serinë e finales së madhe të NBA ndaj Phoenix Suns.

Në “Fiservforum” në Wisconsin skuadra e drejtuar nga Mike Budenholzer triumfoi lehtësisht me rezultatin 120-100 ndaj formacionit nga Arizona duke e ngushtuar në 2-1 me ndeshje serinë e përballjeve mes tyre.

Vetëm në periodën e parë, Phoenix ishte më lartë se Bucks duke e mbyllur në avantazhin e tri pikëve sepse më pas sfida kishte vetëm një drejtim dhe u dominua nga Giannis Antetokounmpo me shokë. Greku ishte thjeshtë fantastik në këtë përballje duke udhëhequr Milwaukeen me 41 pikë 13 rebound dhe 6 asistime drejt një triumfi shumë të rëndësishëm.

Bucks shfaqën versionin e tyre më të mirë në periodën e dytë të ndeshjes të cilën e mbyllën me një rezultat të pjesshëm 35-17 në favor dhe pikërisht ky 12-minutësh vendosi fatet e takimit. Përveç Giannis Antetokounmpo për Milwaukee u paraqitën mirë në këtë duel të tretë ndaj Phoenix edhe Jrue Holiday autor i 21 pikëve dhe Khris Middelton që shënoi 18 pikë. Për skuadrën e trajnerit Monty Williams nuk shfaqi versionin e saj më të mirë treshja Davon Booker-Chris Paul-DeAndre Ayton.

I pari e mbylli ndeshjen me vetëm 10 pikë ndërkohë që Chris Paul dhe DeAndre Ayton realizuan respektivisht 19 dhe 18 pikë. Edhe finalja e katërt mes Bucks dhe Suns do të zhvillohet në Milwaukee me skuadrën e Mike Budenholzer që është e avantazhuar pasi deri tani diferencën në serinë mes tyre e ka bërë parketi. /SS/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se varianti “Delta” i Covid-19…