Mimoza Kusari-Lila flet për kthimin e Haki Abazit në Kuvend
Mimoza Kusari – Lila, shefe e Grupit Parlamentar të VV’së në Kuvendin e Kosovës, thotë se nuk ka ndarje brenda këtij grupi.
Në emisionin DPT te Fidani në T7, ajo ka komentuar edhe mungesën e deputetit Haki Abazi për dy javë në parlament. Thotë se arsyet e mungesës së Abazit, lidhen me kërkesën për krijimin e Grupit të Gjelbër.
“E vërteta është se Grupi Parlamentar i VV’së është kompakt në nivelin më të lartë aq sa mundet me qenë kompakt një grup i përbërë prej 59 deputetëve që kanë garuar në listë në të cilën çdo i dyti është zgjedh për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i cili ka një diversitet, definitivihst të paparë më herët edhe në Kuvendin e Kosovës edhe në skenën e politikës kosovare’, thotë Kusari-Lila.
“Hakiu e ka bërë postimin publik dhe s’ka qenë në dy seanca. E ka shpreh edhe pakënaqësinë në grup, domethënë është kthyer në seancë dhe në këtë proces nuk ka pasur një diçka e cila mundet me thënë se është e pakthyeshme. Normal ne njerëz jemi dhe kemi diferencat tona dhe diskutohen”, shtoi ajo.
“S’më duket se ka qenë direkt e lidhur me mua personalisht. Ne kemi komunikim të rregullt. Ka qenë me pakënaqësinë e tij për mos formimin e Grupit të Gjelbër që e ka thënë edhe publikisht dhe kjo ka qenë njëfarë shtytje e procesit. Nuk ka pasur diçka përtej kërkesës për formimin e këtij grupi’, theksoi Kusar-Lila.
Ish-zëvendëskryeministri, Haki Abazi, kishte bojkotuar institucionin më të lartë ligjvënës në vend. Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Abazi kishte thënë se pakënaqësitë e tij i kishte shfaqur te lidershipi i partisë.