Minat në Detin e Zi rrezikojnë jetën e pushuesve ukrainas dhe vendeve fqinje

11 korrik 2022 | 16:20

Më 11 qershor, një 50-vjeçar hyri në ujërat e qeta të një plazhi në qytetin ukrainas të Odesës. Kjo ishte rutina e tij, zhytej në ujërat e cekëta të detit dhe mblidhte kërmij deti, një ushqim i konsideruar delikatesë në kuzhinën vendase.

Por tashmë ai nuk do kthehet më. Një minë shpërtheu, duke e vrarë atë në çast, ndërsa familja e tij e shikonte me tmerr.

Deti i Zi është i infektuar me qindra mina të hedhura nga të dyja palët në luftën mes Rusisë e Ukrainës, duke paraqitur një kërcënim serioz për njerëzit dhe rihapjen e rrugëve të transportit të grurit të ndaluara nga bllokada detare e Moskës, raporton The Guardian.

“Është vërtetë një problem i madh. Këto mina janë aty bashkë me mjete të tjera të pashpërthyera nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat ne vazhdojmë t’i gjejmë. Shqetësimi kryesor është se nuk e dimë se sa mina janë hedhur gjatë bllokadës detare. Do të duhet shumë kohë për të pastruar ujërat prej këtyre pajisjeve”, tha Vladlen Tobak, një ish-instruktor zhytjeje i marinës ukrainase dhe themeluesi i një shkolle zhytjeje në Odesa.

Minat detare, të projektuara për të shpërthyer kur trupi i një anijeje bie në kontakt me to, janë të lidhura në një kabllo çeliku për t’i mbajtur ato nën ujë. Megjithatë, ato mund të lirohen kur një stuhi apo rrymat detare mund ti trazojnë e ti nxjerrin në cekëtirë.

Minat detare nuk janë të ndaluara me marrëveshje ndërkombëtare, ndryshe nga minat tokësore. Megjithatë, e drejta ndërkombëtare humanitare përcakton disa rregulla. Për shembull, shtetet mund t’i vendosin ato në ujërat e tyre territoriale për të mbrojtur brigjet e tyre nga sulmet e jashtme. Konventa e Hagës ndalon përdorimin e minave lëvizëse në ujërat ndërkombëtare.

Në qershor, Ukraina pranoi publikisht se kishte “instaluar mina detare në ushtrimin e të drejtës për vetëmbrojtje, siç përcaktohet në nenin 51 të Kartës së OKB-së”.

Qeveria ndaloi njëkohësisht edhe larjen në bregdet. Por me temperaturat që arrijnë në 35 gradë Celcius, shumë njerëz po injorojnë kufizimet dhe po dynden drejt plazhit.

Roman Kostenko, një anëtar i parlamentit të Ukrainës dhe një komandant i forcave speciale të Ukrainës, konfirmoi për Guardian se bregdeti është i minuar bashkë me disa zona që janë më afër bregut për të parandaluar një pushtim rus nga uji.

“Megjithatë, ne nuk e dimë saktësisht shtrirjen dhe vendosjen e minave ruse”, tha ai.

Prania e minave detare po përbën një kërcënim serioz edhe për vendet e tjera që kufizohen me Detin e Zi. Sipas raporteve, zyrtarët bullgarë paralajmëruan qytetarët që jetojnë pranë bregut të kenë kujdes nga minat, ndërsa Rumania po punon për të çaktivizuar pajisjet e gjetura në ujërat e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që Premier League do të ishte destinacioni i Thomas Strakoshës,…