Minatorët e “Trepçës” bojkotojnë punën
Minatorët e gjigantit metalurgjik “Trepça” në Stantërg kanë bojkotuar punën për shkak se nuk i kanë marrë pagat e plota që nga muaji janar.
Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Re të “Trepçës” me flotacion në Stantërg, i ka thënë gazetës “Epoka e re” se për muajin janar kanë marrë vetëm 60 për qind të pagës, po ashtu as për muajin shkurt pagat e tyre ende s’janë paguar.
“Ndërrimi i parë afër 400 punëtorë të ‘Trepçës’ kanë bojkotuar punën shkaku i pagave. Në muajin janar afër gjysma e punëtorëve nuk i kanë marrë pagat e plota. Disa e kanë marrë pagën 100 për qind e disa të tjerë kanë marrë vetëm 60 për qind të pagës. Po ashtu edhe për muajin shkurt na kanë thënë se nuk mund të na paguajnë pagën e plotë”, u shpreh Osmani.
Ai ka shtuar se ka biseduar me menaxhmentin por si përgjigje ka marrë se nuk ka mjete të mjaftueshme financiare.
“Kemi biseduar me menaxhmentin por ata na thanë që nuk kemi mjete financiare”, u shpreh ai.
/Epoka e re/ A. MAVRAJ