Minatorët e ‘Trepçës’ nuk marrin pagë të plotë
Rreth 1 300 minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë marrë vetëm 60 për qind të pagës të mërkurën, për shkak të siç thuhet, mungesës së mjeteve të nevojshme financiare.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se punëtorët e kombinatit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dhe kanë paralajmëruar grevë nëse nuk bëhet pjesa tjetër e pagesës.
“Arsyeja është ‘nuk kemi mjete’, do të thotë Trepça ka ardhur në një situatë të tillë që nuk ka mjete as për paga, është zhytur edhe në borxhe, unë e kam paralajmëruar edhe më herët se keqmenaxhimi, korrupsioni dhe nepotizmi e kanë sjellë në këtë gjendje ‘Trepçën’. Është për keqardhje që sot të mos kenë mundësi të paguhen punëtorët”, është shprehur Sadiku.
Minatorët e kombinatit “Trepça”, një muaj më parë kanë qenë në grevë njëjavore, duke kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit të këtij kombinati, ndalimin e punësimit të stafit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë.
Punëtorët po ashtu kanë kërkuar që sa më shpejt të miratohet statuti i “Trepçës”, ashtu siç parashihet me Ligjin për “Trepçën”.
Greva ishte ndërprerë pas një marrëveshjeje të përkohshme me Qeverinë e Kosovës.