Minatorët e Trepçës presin veç edhe tri ditë për paga
Kohëve të fundit gjiganti metalurgjik, ‘Trepça’ është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit ka pasur edhe jolikuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave, si dhe të obligimeve tjera.
Pas dy ditësh grevë minatorët e “Trepçës” i janë kthyer prodhimit, me shpresën se kërkesat e tyre për pagesën e pagave të muajit tetor dhe të një pjese të pagave të mbetura nga muajt tjerë, kushtet e punës dhe cilësia e ushqimit do të plotësohen.
Rreth 60 për qind e pagës së muajit tetor, pas liferimit të sasisë së grumbulluar të koncentratit të plumbit dhe të zinkut u është derdhur punëtorëve në llogari. Por, ka mbetur edhe pjesa tjetër e pagës dhe një pjesë e pagës në muajit shtator. Nëse deri më 27 tetor nuk plotësohet kjo kërkesë , punëtorët do të marrin masa përsëri që mund t’i shpie përsëri ne grevë.
Nga ana tjetër menaxhmenti, pret ditë më të mira, pasi ka nisur të rritet prodhimi.
Gani Osmani, ushtrues detyre e kryetarit të Sindikatës së “Trepçës”, ka thënë për lajmi.net se marrëveshjen e kanë me menaxhmentin që e tërë paga të derdhet në llogarinë bankare të punëtorëve prej 25 deri më 27 nëntor.
“Po të ishte duke funksionuar qeveria, në do t’i drejtoheshim asaj, respektivisht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Por, ne jemi marr vesh me një menaxher aty. I kemi thënë se duhet ta bëjmë një zgjidhje. Ne kemi kërkuar nga ai një datë se kur mund të na i bënë pagat. Mbeti që prej datës 25 deri me 27 nëntor të dalë paga e tetorit komplet, edhe pak borxhe të pagës së shtatorit dhe disa benefite të tjera. Po ashtu, kemi kërkuar zotim që pagën e nëntorit ta marrim prej datës 7 deri me 10 dhjetorë. Por, menaxhmenti e ka shitur një sasi të koncentratit, rreth 600 mijë euro dhe pastaj diku rreth 60 për qind të pagave të tetorit na janë paguar. Por, marrëveshja mbetet në fuqi që e tërë paga të dal më së largu deri më 27 nëntor. Nëse nuk e mbanë premtimin menaxheri, punëtorët kanë deklaruar që më mirë mos të na del për para hiq”, ka thënë Osmani.
Ai ka thënë se prodhimi nuk po ndalet, por se, sipas tij është çështje e menaxhmentit që të gjejë tregjet. Nga ana tjetër, Basri Ibrahimi, kryeshef në Kompaninë “Trepça” Sh.A, ka thënë për “lajmi.net” se po japin maksimumin që të realizojnë kërkesat e punëtorëve, por nuk ka dhenë ndonjë datë se kurë mund të realizojnë kërkesat tyre.
“Është e vërtetë që pagat e muajit të kaluar nuk kanë dal qind për qind. Po kemi vështirësi, por besoj që do të rregullohet situata. Kemi probleme të trashëguara, por do t’i tejkalojmë”, ka shtuar kryeshefi Ibrahimi.
Ai thotë se është rritur prodhimi dhe pret që të rritet dhe më tutje në mënyrë që të shmangin situata e vështira. “Lajmi.net” ka mësuar se pos vështirësive të pagave, “Trepça” ka edhe 3.7 milionë euro borxhe ndaj furnitorëve.
“Nuk po më kujtohet sa është borxhi. Por, një biznes i tillë si Trepça, natyrisht se ka edhe borxhe. Por e rëndësishme është se e kemi ngritur prodhimin mbi 30 për qind”, ka shtuar Ibrahimi. Së fundmi kësaj ndërmarrje i ka dështuar edhe marrëveshja kontraktuale me një kompani zvicerane për shitjen e plumbit. Por, Ibrahimi thotë se shitja e plumbit do të dal shumë shpjet në tender të ri.