Minatorët e ‘Trepçës’ sërish në grevë
Minatorët e “Trepçës” janë futur në grevë për shkak që të njëjtit ende nuk e kanë marrë pjesën e dytë të pagës së muajit qershor.
Kështu bëri të ditur për Portali Dukagjini, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Junuzi, i cili ka thënë se ndërrimi i parë ka pezulluar punën dhe pritet që në rast të mosplotësimit të kushteve grevën do ta vazhdojë edhe ndërrimi i dytë.
“Po, është e vërtetë që kanë mbajtur grevën në pjesën ë parë por pas komunikimit na është premtuar që në agjendë që deri para fillimit të punës së ndërrimit të dytë do ta ekzekutojnë pagën për pjesën e mbetur. Nëse nuk plotësohet kjo, greva do të vazhdojë edhe në ndërrimin e dytë dhe deri sa të ekzekutohet paga”.
Sipas tij, ky është një vendim i minatorëve dhe jo i sindikatës.
“Nuk është vendim i sindikatës, por i punëtorëve që kanë shprehur pakënaqësi për mosrealizimin e pagës së tyre”.
Ndryshe, minatorët e turnit të paradites kishin mbajtur grevë edhe të mërkurën e 12 korrikut, por ata të turnit të dytë e kishin ndërprerë pas ekzekutimit të pjesës së parë të pagës.