Minatorët e Trepçës vizitohen nga disa deputetë të LV-së në ditën e pestë të grevës
Minatorët e ndërmarrjes “Trepça” kanë hyrë sot në ditën e pestë të grevës së urisë. E gjendja e tyre po vazhdon të keqësohet.
Kështu deklaroi për Teve1.info anëtari i Sindikatës së kësaj ndërmarrjeje, Gani Osmani. Ai bën të ditur se tashmë janë vendosur edhe disa shtretër, përmes të cilëve, punëtorët të cilët kanë probleme mjekësore, të marrin ndihmën e nevojshme.
Teksa theksoi se sot janë vizituar nga pesë deputetë të pozitës, të cilët siç tha ai, i kanë dëgjuar problemet e tyre.
“Tash këtu i kanë vendos do shtretër të improvizum për ndonjë infuzion, ndonjë ineksion. Tash çdo moment është gjendja më e keqe, sa të rrin më shumë, aty të smut ka me pas ma shumë. Sot kanë qenë do deputetë, pesë deputetë të pushtetit. I kanë dëgju problemet tona”, tha ai.
Minatorët kanë hyrë në grevë urie nga e marta si shenjë proteste për vonesat që po u bëhen në ekzekutimin e pagave.
Kërkesat e tyre janë realizimi i pagës nga data 6 deri me datën 10 të çdo muaji, dorëheqja apo shkarkimi i u.d i kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe kërkesa për sigurim shëndetësor dhe përmirësimin e kushteve.