Minatorët pa paga që dy muaj, Bordi i Trepçës: Po punojmë intensivisht për t’i tejkaluar vështirësitë

30 korrik 2024 | 21:21

Ndërmarrja publike “Trepça Sh.A” ka reaguar ndaj situatës së vështirë në të cilën ndodhen minatorët e saj, të cilët nuk kanë marrë pagat për dy muaj.

Sipas një komunikate nga udhëheqja e ndërmarrjes, shkaku kryesor i kësaj situate është performanca e ulët e prodhimit dhe borxhet e grumbulluara.

“Udhëheqja e ndërmarrjes Trepça Sh.A. po punon intensivisht për të tejkaluar vështirësitë financiare, në mënyrë që punëtorët të marrin pagat dhe minatorët t’i kthehen punës në minierën me flotacion Trepça-Stan Tërg,” thuhet në komunikatë.

Bordi Mbikëqyrës, i cili ka marrë detyrën këtë muaj, është angazhuar të punojë ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe për të zhvilluar komunikim të vazhdueshëm me aksionarët, përkatësisht Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët. Qëllimi është të sigurohet një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Udhëheqja e ndërmarrjes e kupton rëndësinë e kërkesës së minatorëve dhe po punon me përkushtimin më të lartë për t’u dhënë përgjigjen e duhur, për të rifilluar punën e minierës me flotacion Trepça-Stan Tërg dhe për të stabilizuar operimet e ndërmarrjes,” theksohet më tej.

Sipas komunikatës, gjendja financiare e ndërmarrjes është rënduar nga performanca e ulët e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara.

“Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar,” përfundon komunikata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar…