Mini-shengeni dhe euroskepticizmi nuk janë zgjidhje
Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari, Profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës
Dy takime të nivelit të lartë të përfaqësuesve të tri vendeve të Evropës Juglindore, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë, fillimisht në Novi Sad e dje edhe në Ohër, kanë rezultuar me një shumësi interpretimesh nga më të ndryshmet: si rikthim drejt një Jugosllavie të re dhe si një platform mini-shengeni. Këto takime shtrojnë disa pyetje sfiduese, të cilat mund të përmblidhen në tri pyetje themelore, të cilat dëshirojmë t‘i shtrojmë që në fillim: A po vazhdon Evropa Juglindore të sillet si Ballkan? A perceptohen vendet e rajonit tonë si Ballkan, apo si Evropë Juglindore? Ose thjeshtë: A po sillen vendet tona si në histori, apo kanë mësyrë në ardhmëri? Evropa Juglindore, e quajtur më shumë politikisht se sa gjeografikisht Ballkan, ka ndryshuar në tridhjetë vitet e fundit. Muri ndarës ideologjik është tejkaluar. Asnjë nga vendet e rajonit tone nuk preferon sistemin njëpartiak dhe ekonominë e kontrolluar të tregut. Rreth 75 milionë qytetarë të rajonit janë bërë më mobil: lëvizin nga shteti në shtet, bëjnë biznes dhe kalojnë pushimet në bregdet. Pesë nga vendet e Evropës Juglindore janë pranuar në Bashkimin Evropian: Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia, përderisa të gjitha janë në rrugë për t’u integruar në BE: me status kandidati Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe kandidat potencial Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Por, përkundër këtij trendi pozitiv në Evropën Juglindore, ka edhe një trend tjetër, i cili lehtë mund të shkaktojë rikthimin e historisë në Ballkan: nacionalizmi ekstrem, fundamentalizmi religjioz dhe rikthimin e influencës ruse në rajon. Edhe pse në rrafshin e sigurisë shumica absolute e vendeve të rajonit janë anëtarësuar në NATO: Turqia, Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Shqipëria dhe Mali i Zi, pastaj Maqedonia dhe Kosova kanë orientim të qartë pro-NATO, përderisa Bosnja dhe Hercegovina është e ndarë në dysh në mes të Lindjes dhe Perëndimit, është Republika e Serbisë ajo që preferon aleancë ushtarake me Rusinë, ka hapur një Qendër për Mbrojtjen Civile në Nish, të pajisur me aeroplanë për veprim në gjendje gatishmërie “për raste të jashtëzakonshme”, blenë aeroplanë ushtarak nga Rusia dhe organizon ushtrime ushtarake me Rusinë dhe Belorusinë. Në rast se pretendimi rus për ndikim vazhdon me intensitetin aktual, rajoni i Evropës Juglindore mund të shndërrohet lehtë sërish në Ballkan, ashtu siç ky nocion nënkuptohet te vendet e Perëndimit: si rajon i ndarjes, prapambetjes, korrupsionit, nacionalizmit, konfliktit dhe luftës. Ose thënë simbolikisht me gjuhën e Churchillit: Do të kthehej sërish në zorrën qorre të Evropës. Vendet e Evropës Juglindore gjenden në qendër të një udhëkryqi të trefishtë gjeografik, kulturor, religjioz dhe politik. Ky rajon gjendet gjeografikisht në mes të Azisë dhe Evropës.
Në të kaluarën Perandoria Romake dhe ajo Bizantine i kanë thyer mes vete shpatat për ndikim në këtë rajon, ashtu siç kanë bërë më vonë Perandoria Osmane, Republika e Venedikut, Perandoria Austro-Hungareze dhe Rusia. Në rrafshin religjioz shumica e vendeve të Evropës Juglindore i përkasin religjionit ortodoks, edhe pse shkalla e praktikimit të tij real është më shumë simbolike. Një e katërta e banorëve të rajonit i përkasin religjionit islam, me të gjitha variantet e tij sektare, përderisa pjesa tjetër i përket fesë së krishterë. Por, po ashtu në këtë rajon pati lindur shteti i pare ateist në botë. Pas procesit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë njerëzit, kombet, grupet etnike u orientuan drejt identitetit kombëtar si identiteti primar identifikues historik, gjuhësor dhe kulturor. Ky proces u shoqërua me rritjen enorme të patriotizmit dhe nacionalizmit, gjë që si rrjedhim pati lindjen e shteteve të reja, por edhe katër luftëra në rajon, pastrim etnik, dhunime, vrasje në masë dhe gjenocid. Shtetet shumëetnike u shpërbënë dhe nga to lindën shtete të reja, me kufij të rinj ndërshtetëror, kulturor dhe kombëtar. Zhvillimet politike të 30 viteve të kaluara në rajonin e Evropës Juglindore kanë sjell në pah dy trende themelore veprimi, që mund të shpjegohen me dy drejtimet themelore të analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare: në njërën anë, ka pasur një proces të qartë veprimi realist, ku aktorët e rinj kombëtar, në rrjedhë të shpërbërjes së shteteve multietnike, u orientuan në veprime në mbrojtje të interesave kombëtare, për të krijuar shtetet kombëtare, me qëllim të maksimalizimit të dobisë, në një ambient kaotik dhe anarkist, të krijuar pas rënies së sistemit socialist në Evropën e Lindjes; dhe në anën tjetër, është shfaqur kundërveprimi liberal në marrëdhëniet ndërkombëtare, kur aktorët ndërkombëtar u aktivizuan, edhe pse me vonesë, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, me qëllim të shmangies së gjeonocidit në Bosnje dhe Kosovë, duke përdorur edhe forcën e armatosur kundër Serbisë, e cila shkaktoi katër luftëra agresive kundër vendeve fqinje brenda shtatë viteve.
Por, a e kanë gjetur rrugën prosperuese vendet e Evropës Juglindore? Procesi i një rilindjeje kulturore, tolerance, me respekt të ndërsjellë mes vete nuk ka zënë ende vend në vetëdijen e popujve të rajonit, përkundër investimeve të shumta të BE dhe SHBA. Disa prej konflikteve kanë mbetur ende si konflikte të ngrira. BE duket se nuk e ka kuptuar këtë gjë. Prandaj pati të drejtë presidenti i Komisionit Junker, kur e kualifikoi “një gabim të rëndë historik” vendimin e Francës, Holandës dhe Danimarkës për të bllokuar hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka shfaqur zhgënjimin e saj për këtë vendim bllokues të këtyre tri vendeve. Vendimet e tilla shkaktojnë vetëm zhgënjim. Në një situatë të tillë zhgënjimi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri maqedonas Zoran Zajev vendosën t’i bashkëngjiten iniciativës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq për një strukturë të re rajonale. Është një lëvizje emocionale dhe jo e menduar mirë në rrafshin strategjik. Është një lëvizje tipike ndarëse ballkanike. Fakti se iniciativës nuk ju kanë bashkuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, mund të kualifikohet si një lëvizje prej të dëshpruarish. Dëshpërimi në raste të tilla nuk duhet të jetë motivi lëvizës vendimmarrës. Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të shkojnë ndaras në projekte rajonale. Është interes strategjik maksimalizimi i fuqisë ndikuese në rajon. Kjo gjë mund të bëhet vetëm përmes një koordinimi dhe hapërimi të menduar mirë. As mini-shengeni dhe as euroskepticizmi populist nuk janë zgjidhje. Orientimi strategjik nacional i shqiptarëve është Evropa dhe Perëndimi. Rikthimi te idetë për një strukturë të re integruese ndërballkanike është shmangie prej të dëshpëruari nga orientimi strategjik evropian. Për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe NATO Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë momente serioze të reflektimi diplomatik, duke vënë në zbatim artin e negocimit dhe diplomacinë me sens dhe durim.