‘Minishengeni Ballkanik’, i dëmshëm për Kosovën (Video)
Pretendimet për themelimin e një minishengeni Ballkanik po konsiderohen se janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, edhe të dëmshme në aspektin ekonomik, si dhe atë politik.
Fituese për nga ekonomia dhe tregu po shihet të jetë vet shteti serb, bashkë me shtetet tjera të rajonit.
Të paktën kështu kanë thënë njohës të fushës ekonomike dhe fituesja e zgjedhjeve të 6 tetorit, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, ka thënë për “Kosovapress”, se arritja e një minishengeni të tillë është më së paku në interesin e Kosovës.
Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së ardhshme që t’i rishikojnë gjitha marrëveshjet e CEFTA-s dhe të MSA-së, pasi sipas tij, e kanë dëmtuar dhe shkatërruar prodhimin vendorë dhe nuk kanë ndikuar në rritjen e eksportit.
Se ky minishengen është i dëmshëm për Kosovën e ka thënë edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj. Ai ka deklaruar se kjo do të ishte e papërballueshme, pasi Kosova nuk ka ekonomi vendore dhe prodhim vendor për të eksportuar në shtetet tjera rajonale.
Ndërsa nga ana e partisë fituese sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se kjo tentativë është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe nuk do të mbështesin.
Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka adresuar kritika ndaj qeverisjes në Shqipëri, pasi sipas saj ajo nuk po e sheh dhe nuk po e trajton në mënyrën si është ky shtet.
Të enjten e javës së kaluar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë rënë dakord gjatë një takimi në Novi Sad, që brenda vitit 2021 të eliminohen kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit. Kujtojmë se Kosova nuk ishte pjesë e këtij takimi.