Ministrat e 13 vendeve të BE-së mbështesin integrimin e Ballkanit Perëndimor
Ministrat e jashtëm të 13 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë përsëritur mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në deklaratë, i bëhet thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian, që në takimin e qershorit, të marrë vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Fillimi i negociatave në qershor të vitit 2019 do të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së vendeve ndaj interesave të jashtme, dhe të dëmshme, të aktorëve të tjerë, dhe do të sigurojë që BE-ja do të vazhdojë të jetë lojtari kryesor për një transformim pozitiv të rajonit”, është thënë në deklaratë.
Shefat e diplomacisë së 13 vendeve anëtare të BE-së, theksojnë se është thelbësore të vazhdohet me procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, dhe sipas tyre, krahas me këtë proces, nuk ekziston plani B.
“Është thelbësore për të siguruar përparimin e përgjithshëm të rajonit. BE-ja duhet të përmbushë angazhimin e saj të qartë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka plan B”, thuhet në deklaratë.
Deklarata është nënshkruar nga ministrat e Jashtëm të Çekisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Hungarisë, Bullgarisë, Italisë, Polonisë, Maltës, Austrisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur vendet anëtare të BE-së janë të ndara sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit ndërmjet Brukselit e Shkupit dhe Tiranës, raporton “Rel”.
Debati në Këshillin e Bashkimit Evropian do të mbahet gjatë muajit qershor, megjithatë, për shkak se këto çështje kërkojnë pajtim mes shteteve anëtare të BE-së, në këtë moment, nuk ka qëndrim të përbashkët të BE-së për të konfirmuar rekomandimin e Komisionit Evropian.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker më parë ka pranuar se tani për tani nuk ka konsensus në mesin e shteteve anëtare për miratimin e hapjes së negociatave për anëtarësim.