Ministrat e BE-së diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

16 maj 2022 | 12:53

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot (e hënë), përveç agresionit rus në Ukrainë  edhe për raportet e bllokut evropian me Ballkanin Perëndimor.

Më vonë gjatë ditës së hënë, ata do të kenë edhe një takim të përbashkët me shefat e diplomacisë së gjashtë vendeve të këtij rajoni.

“Diskutimet për Ballkanin Perëndimor, në takimin e 27 ministrave, sikur edhe ato kur të takohen së bashku ministrat e BE-së me ata të vendeve të rajonit, do të jetë përballja e përbashkët me sfidat dhe pasojat që ka krijuar agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës”.

Në një dokument të përgatitur për diskutimet e së hënës është thënë se agresioni i Rusisë ka krijuar ndryshime domethënëse në rreshtimet gjeopolitike.

“Më shumë se kurrë ka pritje që Ballkani Perëndimor t’iu përkushtohet vlerave evropiane si vende anëtare në të ardhmen. BE duhet t’i rreshtojë partnerët e saj rreth mbrojtjes së vlerave të përbashkëta dhe normave kyçe ndërkombëtare, dhe dënimin e agresionit rus në Ukrainë si shkelje të rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe rrezik për paqen dhe sigurinë globale”, është thënë në këtë dokument jozyrtar.

Sipas burimeve diplomatike të “Rel”-it, trysnia kryesore do të jetë ndaj Serbisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Në Bruksel, zyrtarë të BE-së vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta relativizuar këtë qëndrim të Serbisë duke e potencuar më shumë faktin se Serbia ka votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për dënimin e agresionit të Rusisë dhe ka votuar për përjashtimin e saj nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut.

Por shumë vende anëtare të BE-së pohojnë se kjo gjë, ndonëse është e mirëpritur, nuk mjafton dhe Serbia duhet të mbështesë edhe sanksionet, e sidomos të mos lejojë që përmes Serbisë ato të anashkalohen.

Në BE kanë thënë se mirëpresin faktin se Kosova në tërësi ka mbështetur qëndrimet e Perëndimit për luftën në Ukrainë, edhe pse formalisht nga ajo nuk kërkohet një gjë e tillë.

Burimet e BE-së kanë thënë se blloku evropian duhet të ketë porosi të qarta për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë drejtim, kanë pohuar burimet, liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më shpejt.

Në takimin e së hënës pritet të diskutohet edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bebe Rexha është një nga këngëtaret shqiptare me famë botërore…