Ministrat e BE-së kritikojnë Kinën për deklaratat lidhur me Ukrainën
Deklaratat e bëra së fundi nga ambasadori i Kinës në Francë, që vënë në pikëpyetje sovranitetin e ish-shteteve sovjetike, sikurse Ukraina, janë kritikuar nga disa ministra të Jashtëm të vendeve të bllokut evropian.
“Janë krejtësisht të papranueshme. Shpresoj që shefat e këtij ambasadori do të qartësojnë këto deklarata”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, para nisjes së takimit në Luksemburg me homologët e tij nga shtetet e BE-së.
Lidhur me qëndrimin e tij nëse Krimea – gadishulli ukrainas që është aneksuar paligjshëm nga Moska më 2014, ishte pjesë e Ukrainës ose jo, ambasadori kinez në Paris, Lu Shaye, ka thënë se historikisht ky gadishull ka qenë pjesë e Rusisë dhe i është dhënë Ukrainës nga ish-lideri sovjetik, Nikita Khrushchev.
“Këto shtete të ish-Bashkimit Sovjetik nuk kanë status në të drejtën ndërkombëtare sepse nuk ka një marrëveshje ndërkombëtare për të materializuar statusin e sovranitetit të tyre”, ka thënë Shaye në një intervistë për një televizion francez.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, ka thënë se deklarata të tilla “janë krejtësisht të papranueshme”, duke shtuar se tri shtetet e Baltikut do t’i kërkojnë Kinës për të qartësuar nëse ka ndryshuar qëndrimin zyrtar.
Po ashtu, kundër deklaratave të ambasadorit kinez më herët është deklaruar edhe Franca, Ukraina dhe tri shtetet e Baltikut.
Këto deklarata të ambasadorit kinez në Francë, vijnë teksa pushtimi rus i Ukrainës është duke vazhduar. Kina, aleate e Rusisë, nuk e ka dënuar Moskën për veprimet e saj në Ukrainë, por ka kërkuar që konflikti të zgjidhet përmes dialogut. /REL