Ministrat e BE-së miratojnë sanksione kundër kreut të GRU-së dhe të tjerëve
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) kanë miratuar sanksione kundër dy zyrtarëve të lartë të inteligjencës ushtarake ruse dhe dy personave të dyshuar për helmimin me agjent nervor të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe të vajzës së tij Yulia.
Në takimin në Bruksel, ministrat kanë miratuar ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për katër shtetasit rusë.
Sanksionet godasin kreun e inteligjencës ushtarake ruse GRU, Igor Kostyukov, zëvendësdrejtorin e parë të kësaj agjencie, Vladimir Alekseyev, dhe dy agjentë të dyshuar të GRU-së, të cilët Britania i akuzon për kryerjen e sulmit kundër Skripalëve.
Sulmi ka ndodhur në mars të vitit të kaluar, në qytetin Sallsbëri të Britanisë.
Dy të dyshuarit kanë udhëtuar atje me pasaporta me emrat Aleksandr Petrov dhe Ruslan Boshirov.
Organizata e pavarur hulumtuese Bellingcat i ka identifikuar ata si Aleksandr Mishkin dhe Anatoly Chepiga dhe ka paraqitur prova që tregojnë se ata janë të lidhur me GRU-në.
Ata e kanë mohuar se punojnë me GRU-në ose kanë qenë të përfshirë në sulmin kundër Skripalëve, edhe pse e kanë pranuar se në kohën e sulmit kanë qenë në Sallsbëri.
Ministrat evropianë miratuan të hënën sanksione edhe kundër pesë shtetasve sirianë dhe një entiteti sirian, të dyshuar për përfshirje në sulme kimike. /Rel/