Ministrat e ekstremit të djathtë braktisin Qeverinë e Austrisë
Partia e ekstremit të djathtë e Austrisë-FPO ka bërë me dije se ministrat e saj do të largohen nga qeveria e koalicionit.
Kriza politike në Austri ka shpërthyer javën e kaluar, për shkak të një videoje që thuhet se tregon udhëheqësin e FPO-së, Heinz-Christian Strache, duke i ofruar kontrata një përfitueseje potenciale ruse, në këmbim të donacioneve politike.
Strache dha dorëheqje nga pozita e zëvendëskancelarit, ndërsa kancelari Sebastian Kurz i ka kërkuar presidentit të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Herbert Kickl, po ashtu i partisë FPO, duke thënë se ai është pengesë për hetimet transparente të skandalit.
FPO është hakmarrë duke i tërhequr ministrat e tjerë nga Qeveria dhe duke e lënë Kurzin pa ministër të Jashtëm, të Mbrojtjes, të Punës dhe të Infrastrukturës.
Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në shtator.
Në videon e publikuar nga mediet gjermane, më 17 maj, gruaja flet rusisht dhe e identifikon veten si mbesa e një biznesmeni të pasur rus, raporton “Rel”.
Një tjetër zyrtar i FPO-së duket duke përkthyer nga gjermanishtja në rusisht.
Takimi dyshohet se u zhvillua në ishullin spanjoll të Ibizës, në korrik të vitit 2017, tre muaj para zgjedhjeve që e sollën FPO-në në qeverinë e koalicionit dhe e bënë Strachen zëvendëskancelar.
Kremlini e ka mohuar përfshirjen në skandal.
“Kjo nuk ka të bëjë me Federatën Ruse, as me presidentin e saj, as me qeverinë e saj”, ka thënë Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ne nuk e dimë se kush është kjo grua, nëse ajo është ruse apo jo”, ka thënë Peskov.
Në vitin 2016, FPO ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar.