Ministrat e LDK-së nuk votuan për shkarkimet e bordeve e as për disa vendime të tjera

15 maj 2020 | 10:54

Ministrat e Lidhjes Demokratike në kabinetin Kurti nuk kanë marrë pjesë në shumicën e votimeve online të qeverisë, sidomos atyre për shkarkimin dhe emërimin e bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike.

Për shkak të pandemisë COVID-19, mbledhjet sikurse edhe votimi janë zhvilluar në mënyrë virtuale.

Nga burime brenda qeverisë, gazeta ka arritur t’i sigurojë disa prej votimeve të anëtarëve të kabinetit, pas rrëzimit të qeverisë me mocionin e iniciuar nga LDK-ja. Pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, dhe zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, në kabinet kanë mbetur edhe pesë ministra të tjerë nga radhët e këtij subjekti që po vazhdojnë t’i ushtrojnë detyrat e tyre.

Ndër vendimet e para në mbledhjet online është ai për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë, si zëvendësim i taksës prej 100 përqindësh. Por ministrat e LDK-së nuk kanë deklaruar kurrfarë vote për këtë çështje. Vendosja e reciprocitetit ishte një nga arsyet e përmendura prej Lidhjes Demokratike që çuan në inicimin e mocionit të mosbesimit në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Edhe pse ka qenë premtim elektoral i të dyja partive dhe ishte përfshirë në programin qeverisës, LDK-ja u zmbraps nga reciprociteti për shkak të kundërshtimit të ambasadorit amerikan, njëherësh emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Heqja e reciprocitetit është paralajmëruar të jetë një nga vendimet e para të Avdullah Hotit, i cili është dekretuar për kryeministër nga presidenti Thaçi, nëse Kushtetuesja nuk e hedh poshtë.

Ministrat e LDK-së nuk kanë votuar as në mbledhjen ku qeveria ndau 500 mijë euro për Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Ky vendim ishte marrë në mbledhjen e 26-të të qeverisë me qëllim të mbështetjes financiare të Luginës për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia, shkruan kohanet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina ka shënuar të premten një muaj pa regjistruar asnjë…