Ministrat e Listës Serbe e vazhdojnë punën në dorëheqje
Ministrat e Listës Serbe në kuadër të Qeverisë së Kosovës janë duke vazhduar aktivitetin e tyre si ministra në dorëheqje.
Në ueb-faqet e ministrive të cilat ata i udhëheqin, javëve të fundit shihet se ministrat serb, kanë qenë aktiv nëpër aktivitete të ndryshme.
Më 19 qershor, Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo ka vizituar qytetin e Rahovecit ku kishte marrë pjesë në një simpozium dhe më pas ishte takuar edhe me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smjal Latifi.
Por, ministri Rikallo, njësoj sikurse ministrat e tjerë, Dolibar Jevtiq dhe Ivan Todosijeviq, nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë së Kosovës.
Pavarësisht kësaj, dyert e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj mbeten të hapura për rikthimin e ministrave serbë.
Halil Matoshi, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se ministrat serbë janë duke kryer obligimet e tyre, pavarësisht se ata janë në dorëheqje.
“Bartësit e posteve të Listës Serbe, përkatësisht në Qeveri janë legjitim dhe ata mund ta shqyrtojnë vendimin tyre kurdo që duan dhe të kthehen në institucionet ne vendit. Por, tash për tash nuk kemi ndonjë konsolidim nga ta. Kontakte ka shumë të shpeshta, do të thotë të zyrtarëve të Qeverisë dhe ata dalin do të thotë në punë, mirëpo nuk marrin pjesë në seanca të Qeverisë, përkatësisht në mbledhjet e Qeverisë”, ka thënë Matoshi.
Lista Serbe ka kufizuar fushëveprimin e saj brenda Qeverisë, pasi që institucionet e Kosovës, më 26 mars, kishin arrestuar shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili, siç u tha, kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.
Ai kishte shkuar në Mitrovicë Veriore ku ishte paralajmëruar formimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për rikthimin e mundshëm të Listës Serbe në Qeveri, “Radio Evropa e Lirë” ka provuar të flasë me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, mirëpo ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje.
Për analistin politik, Artan Muhaxhiri, në këtë situatë, Qeveria e Kosovës është e pafuqishme që të ndërmarr çfarëdo veprimi, pasi siç ka thënë ai, Qeveria nuk ka asnjë platformë të qëndrueshme për të komunikuar me Listën Serbe.
“Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës në përgjithësi, por edhe Parlamenti do të duhej të kishin ndonjë ofertë aktive ndaj pakicës serbe sa i përket aspektit politik, mirëpo kjo nuk është duke ndodhur tani dhe nuk ka ndodhur as në të kaluarën”, ka thënë Muhaxhiri për “Radion Evropa e Lirë”.
Këto probleme politike që janë të shfaqura aktualisht me Listën Serbe, sipas Muhaxhirit janë pasojë e mungesës së integrimit cilësor të komunitetit serb.
“Partitë politike shqiptare kanë qenë krejtësisht pasive në raport me pakicën serbe dhe nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë ide apo platformë të strukturuar të integrimit të tyre kualitativ në shoqëri dhe institucione”, ka thënë Muhaxhiri.
Përveç pjesëmarrjes jo të plotë në Qeveri, Lista Serbe ka kaluar në opozitë në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e këtij subjekti politik, kishin njoftuar se aktivitetin e tyre politik në Kuvend, do ta vazhdojnë nga tabori opozitar.
Kohë më parë, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq kishte deklaruar se përfaqësuesit e kësaj liste nuk do të kthehen në Qeveri, duke shprehur gatishmëri edhe për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.