Ministrat evropianë mbështesin Tiranën dhe Shkupin

22 mars 2021 | 15:48

Letra publike e nëntë ministrave të jashtëm evropianë në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor ka qenë objekt i diskutimeve në Bruksel nga shefat e diplomacisë nga të 27 shtetet anëtare.

Ministrat kryesisht nga shtete ish-komuniste kanë kërkuar që të miratohen kornizat negociatore me Shkupin dhe Tiranën dhe të mënjanohet roli i shteteve si Rusia dhe Kina në këtë rajon.

“Unë kam deklaruar në disa raste edhe më parë se ky rajon që është edhe më i afërti për Bashkimin Evropian ka nevojë dhe meriton më tepër vëmendje. Na duhet një debat më gjithëpërfshirës edhe në takimet e ardhshme. Unë do të paraqes një iniciative të përbashkët të nënshkruar nga Bullgaria, Qipro, Greqia, Hungaria dhe Sllovenia për ta ndihmuar Bosnje Hercegovinën për të arritur qëndrueshmëri politike dhe në funksionimin e institucioneve shtetërore që janë me rendësi jetike për rrugën e saj evropiane”, ka thënë ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman

Ndërsa ministri i Jashtëm i Rumanisë, Bogdan Aurescu, ka thënë se BE-ja duhet ta rrisë përfshirjen në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor unë dua të nënvizojë atë që kemi shprehur në letrën publike të nënshkruar së bashku me tetë kolegët e tjerë ku i kërkojmë shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell që të mbajmë një debat më strategjik për këtë rajon. Ne duhet të rrisim përfshirjen tonë në shtetet e Ballkanit Perëndimor duke rikonfirmuar përkushtimin tonë ndaj procesit të zgjerimit pasi ata duhet të marrin mbështetje në rrugën e reformave”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka informuar ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së edhe për rezultatet e vizitës së ndërmjetësit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në Beograd, Prishtinë dhe Podgoricë.

Përpara Këshillit Evropian, më 25 dhe 26 mars, ministrat e jashtëm evropianë kanë zhvilluar një diskutim edhe mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve BE-Turqi./tvklan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur sanksione ndaj krerëve ushtarak të…